Momenti kur arrestohet 31-vjeçari i rrezikshëm Imer Krashi, pas ndjekjes si në filma

Nga Igli Çelmeta
5 Tetor 2025, 22:48 | Kronikë

Ky është momenti kur 31-vjeçari Imer Krashi, i cili shkaktoi panik në Tiranë këtë të diel, duke përplasur një efektiv policie jashtë shërbimit dhe bashkëshorten e tij në motor, si dhe 9 mjete të tejra, u arrestua nga forcat e policisë pas një ndjekjeje si nëpër filma. Krashi, i cili kishte edhe dy emra të tjerë, Imer Masha dhe Imer Uka, u arrestua pasi nuk pranoi t’i ndalonte patrullës dhe t’i nënshtrohej kontrollit, raporton A2 CNN.

Pas ndalimit të automjetit të dyshuar, shërbimet e Policisë i kanë bërë të ditur drejtuesit të automjetit se ndaj tij dhe automjetit do të ushtrohej kontroll. Në momentin që drejtuesi i automjetit është njohur me urdhrin e Policisë, ka refuzuar urdhrin për kontroll dhe është larguar me shpejtësi të madhe, duke rrezikuar punonjësit e Policisë që ishin duke komunikuar me të.

Bazuar në informacionin e marrë se ky shtetas mund të kishte armë me vete, në refuzimin për kontroll nga drejtuesi i automjetit dhe largimin me shpejtësi në drejtim të TEG-ut, shërbimet e Policisë janë vënë në ndjekje të automjetit, i cili, për shkak edhe të trafikut të rënduar, ka përplasur 9 automjete dhe 1 motomjet, në të cilin qarkullonin shtetasit E. R., 52 vjeç (punonjës policie jashtë shërbimit) dhe bashkëshortja e tij, shtetasja O. R., 46 vjeçe, të cilët ndodhen në spital, jashtë rrezikut për jetën.

Shërbimet e Policisë, pas një ndjekjeje intensive, bënë të mundur bllokimin e automjetit dhe të drejtuesit. Gjatë kontrollit të automjetit, punonjësit e Policisë së Forcës së Posaçme “Shqiponja” gjetën dhe sekuestruan një armë zjarri pistoletë.

Krashi, me precedent të theksuar kriminal dhe me rrezikshmëri të lartë shoqërore është shoqëruar në ambientet e Komisariatit të Policisë Nr. 1, për veprime të mëtejshme procedurale. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos