Kryetari i Lëvizjes Shqipëria Bëhet, Adriatik Lapaj, deklaron se forca e tij politike do të mbështesë kandidaturën e Florian Binajt për kryetar të Bashkisë Tiranë, raporton A2 CNN.
“Dy ditë më parë propozuam që kandidatët për bashkitë në këto zgjedhje për shkak të situatës së jashtëzakonshme duhet të vinin nga radhët e qytetarëve të angazhuar dhe jo nga marrëveshjet e partive politike. Deklaruam se do të mbështesnim një prej kandidatëve të pavarur që do të shpallnin kandidimin në këto zgjedhje. Duke shprehur vlerësimin për të gjithë ata që janë deklaruar, kryesia e Lëvizjes "Shqipëria Bëhet" ka vendosur që në Bashkinë Tiranë të mbështesë kandidatin e pavarur Florjan Binaj. Ky vendim bazohet te vullneti ynë i mirë dhe bindja që Shqipëria vlen mbi partinë”, thotë Lapaj përmes një postimi në Facebook.
Binaj ka qenë më parë pjesë e Shqipëria Bëhet.
Zgjedhjet e 9 nëntorit do të zhvillohet në 6 bashki të vendit, Tiranë, Mat, Cërrik, Berat, Vlorë e Tepelenë. Vëmendja më e madhe është e përqendruar të zgjedhjet e Tiranës, pas shkarkimit të kryetarit Erion Veliaj, i cili ndodhet në paraburgim prej shkurtit të këtij viti. (A2 Televizion)