Çfarë duhet të dini për të nisur ditën?

Nga A2 CNN
29 Mars 2021, 08:27 | Aktualitet
Çfarë duhet të dini për të nisur ditën?

Vijon sot vaksinimi masiv në kryeqytet dhe disa qarqe të tjera të vendit me qëllimin final, vaksinimin e 10 mijë personave në ditë. Këtë deklaroi vetë ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, sipas së cilës qytetarët duhet të kontaktojnë me mjekun e familjes për ditën dhe vendin ku do të vaksinohen. Do të fillohet me moshat mbi 85 vjeç për të arritur deri në 70 plus.

Vjosa Osmani shumë pranë zgjedhjes Presidente

Vjosa Osmani është shumë pranë zgjedhjes presidente e vendit. Më shumë gjasa përveç VV edhe LDK do ta mbështesë emrin e saj. Vendimi merret sot nga kryesia e partisë, por pas takimit të së shtunës ekziston shumë mundësia e përkrahjes për të, tha kreu i saj, Lumir Abdixhiku.

Mbërrijnë 24 mijë dozat e para të vaksinave në Kosovë

Kosova mori mbrëmë pas orës 20:00 vaksinat e para kundër Covid-19 në sajë të programit Covax. 24 mijë të tilla u dorëzuan tek autoritetet shëndetësore që pritet t’i vënë ato në përdorim sa më parë. Qeveria Kurti e ka vënë pandeminë në plan të parë dhe ekspertët parashikojnë që procesi i vaksinimit dhe imunizimit në vend të bëhet brenda vitit që vjen.

SHBA, sot gjyqi ndaj policit që akuzohet për vrasjen e George Floyd

Në SHBA nis sot procesi gjyqësor ndaj policit që akuzohet për vrasjen e George Floyd, duke i vendosur gjurin në qafë dhe e mbajti aty për rreth 8 minuta, pavarësisht se 46-vjeçari po ankohej se nuk merrte dot frymë. Avokatët mbrojtës do të përballen me një juri të rreptë për të vërtetuar se vdekja ka ardhur si pasojë e substancave narkotike të konsumuara.

Mjekët në Francë paralajmërojnë katastrofë në spitale

Paraqitet e vështirë situata me pandeminë në Francë. Presidenti Macron është i vendosur të mos kthejë izolimin total për francezët që përtej vështirësive financiare do të nënkuptonin një situatë të rënduar psikologjike, por mjekët ngrenë alarmin për ezaurim të kapaciteteve spitalore.

Situatë e rënduar më pandeminë në Gjermani

Gjermania ndërkohë ka të tjera probleme. Shumë kryeministra të landeve nuk po e zbatojnë si duhet izolimin që po përkthehet në një situatë të rënduar me virusin çka e ka bërë kancelaren të paralajmërojë se në rast të përkeqësimit të mëtejshëm do të jetë Berlini zyrtar që do e marrë në dorë menaxhimin e saj duke anashkaluar autoritetet vendase.

Një grup mjekësh viziton në burg liderin opozitar rus, Aleksei Navalni

Lideri i opozitës ruse, Aleksei Navalni, i gjendur në burg pas vendimit të gjykatës, ka shfaqur probleme shëndetësore. Për këtë çështje një grup mjekësh shkuan ta vizitonin dhe dolën me deklaratën se i burgosuri ka probleme me njërën këmbë që prej dhimbjes shpeshherë ia vështirëson lëvizjen, por vetëm kaq.

Blinken: Rusia do të vuajë kosto dhe pasoja për veprimet e saj anti-amerikane

Moska do të paguajë shtrenjtë dhe do të mbajë përgjegjësi për çdo veprim të sajin. Ky është konfirmimi i deklaratave të presidentit amerikan Joe Biden, bërë këtë herë nga sekretari i shtetit, Anthony Blinken. Në një intervistë për CNN, Blinnken tha se ka mbështetjen e të gjithë aleancës kundër Kremlinit në çështjen e futjes në sistemet e vendit për sa i takon zgjedhjeve të nëntorit të shkuar. Moska nga ana e saj nuk i ka pranuar këto akuza dhe po pret takimin e dy presidentëve për ta zgjidhur këtë çështje. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos