Debutoi kur ishte vetëm 18 vjeç në Libertadores, me fanellën e Nacional, luajti me Zinedine Zidane 8 ndeshje, me Uruguain 19 herë dhe la futbollin në moshën 19-vjeçare.
Fabián O'Neill është një nga ata talentet e mëdhenj të humbur si rezultat i një jete jashtë fushës aspak profesioniste. Alkooli bëri që mesfushori, të cilin Zidane atëherë e cilësoi si lojtarin më të mirë me të cilin kishte luajtur ndonjëherë, të mos arrinte majat.








“El Mago” (Magjistari), sot 49 vjeç, i cili ka luajtur me Nacional, Cagliari, Juventus, Torino dhe Perugia, la gjurmë në futbollin evropian, pavarësisht karrierës së tij të shkurtër. Pas 5 sezonesh te Cagliari, “Zonja e Vjetër”, që drejtohej atë kohë nga Carlo Ancelotti, vendosi t’i besonte uruguaianit. Por, O’Neill nuk u përshtat në skuadrën ku luanin Zinedine Zidane, Edgar Davids, Filippo Inzaghi, Alessandro Del Piero dhe David Trezeguet.
Ai luajti vetëm 20 ndeshje me fanellën bardhezi, 8 prej të cilave si titullar.
Tani, në librin e tij autobiografik, i titulluar “Deri në pikën e fundit”, ai tregon se ka nisur alkoolin që në moshën 9-vjeçare dhe se paratë që fitonte nga futbolli, i shpenzonte në baste në gara me kuaj.
Vitet e fundit, nga alkooli ai pati probleme të mëdha me mëlçinë, por duket se nuk është penduar aspak për zgjedhjet që ka bërë.
“Kam shpenzuar të gjitha paratë. Nuk i kam bërë kurrë keq njeriu, vetëm vetes. Shumë gra janë munduar të më ndryshojnë, por unë nuk kam dashur. Kështu jam gatuar unë, rebel dhe krenar”, deklaronte vite më parë “Magjistari” Fabián O'Neill. (A2 Televizion)