
Qielli i Ukrainës u zbardh mbrëmjen e së mërkurës, duke kthyer natën në ditë për pak sekonda. Një dritë misterioze e kapur nga kamerat e sigurisë në Kiev ka gjeneruar mjaft spekulime. Zyrtarët në kryeqytet fillimisht dyshuan se ishte një satelit i NASA-s që ra në Tokë, por agjencia hapësinore amerikane reagoi duke thënë se sateliti i tyre gjendet ende në orbitë.
Më pas Agjencia Hapësinore e Ukrainës njoftoi se me shumë gjasë, drita misterioze e parë jo vetëm në qiellin e Kievit por edhe në Bjellorusi mund të jetë shkaktuar nga një meteor që hyri në atmosferën e planetit tonë.
Zyrtarët e forcave ajrore u shprehën tepër të bindur se nuk ishte një sulm ajror nga ushtria e Rusisë, diçka që do të ishte e zakonshme për shkak të bombardimeve të vazhdueshme që prej nisjes së luftës vitin e kaluar.
Episodi që ka ngjallur mjaft frikë, u shënua rreth orës 22 të mbrëmjes. Një sirenë alarmi u dëgjua në kryeqytetin ukrainas por mbrojtja ajrore nuk u aktivizua, njoftoi kreu i administratës ushtarake të Kievit, Serhiy Popko.
Rrjetet sociale në Ukrainë janë ndezur me teori të shumta, përfshirë ato të konspiracionit, por nuk kanë munguar as fotomontazhet gazmore, me tematikën kryesore që e gjitha mund të jetë shkaktuar nga alienët. (A2 Televizion)