
Presidenti i Këshillit të BE-së hap diskutimin ndërsa nuk fsheh vështirësitë. Mund të shihet si një mjet për t'i bërë të detyrueshme vaksinat.
Presidenti i Këshillit të BE-së, Charles Michel, është pro futjes së një lloj "pasaporte vaksine" që do t'i lejojë njerëzit të udhëtojnë përsëri lirshëm. "Është një debat i duhur dhe ne do ta fillojmë atë javën tjetër, në Këshillin Evropian më 21 janar. Është një çështje delikate në shumë vende, por duhet të adresohet dhe që po mendohet për këtë edhe jashtë Bashkimit Europian", deklaroi ai.
Ideja e një certifikate evropiane për njerëzit e vaksinuar u nis nga kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis, për t’i dhënë frymë turizmit, por Michel nuk e fsheh vështirësinë e një operacioni të tillë. Një pasaportë vaksinimi mund të shihet me të vërtetë si një mjet për t'i bërë vaksinat të detyrueshme, ndërsa shumë vende duan t’i bëjnë ato në mënyrë vullnetare, vuri në dukje udhëheqësi belg. Në të njëjtën kohë, përballë dhunës së pandemisë do të jetë e nevojshme të bëjmë "zgjedhje të guximshme", shtoi ai.
Britania e Madhe, tani jashtë BE, nuk do të marrë pjesë në debat. Ishulli, përkundrazi, tani është më i blinduar se kurrë pas ndalimit të lidhjeve me Portugalinë dhe Amerikën e Jugut, nga frika e varianteve braziliane dhe imponimi i testeve anti-Covid për pasagjerët që mbërrijnë nga vendet e tjera. Përveç kësaj, kushdo që mbërrin në Mbretërinë e Bashkuar mund të detyrohet të kalojë një periudhë karantine në hotele të caktuara, me shpenzimet e tyre. Është kjo një mundësi që po e konsideron qeveria. (A2 Televizion)