
Përdorimi i cigares elektronike nga fëmijët po merr përmasa të frikshme në vendin tonë. Më shumë se gjysma e nxënësve në shkolla, 9-vjecare dhe të mesme e konsumojnë këtë produkte. Konstatimi dhe shqetësimi i mësuesve bëhet publik nga ekspertët e shëndetësisë.
Në shkollat 9-vjecare dhe të mesme të Tiranës, rrallë mund të gjesh nxënës mbi 10 vjeç, që nuk e ka provuar të paktën një herë cigaren elektronike. Ata na thonë se pjesa më madhe e shokëve dhe shoqeve të tyre e kanë nga një të tillë.
Oborret dhe tualetet e shkollave janë vendet ku i konsumojnë më shpesh. Roland Shuperka, specialist për çështjet e duhanit, tregon për A2 se rrezikun tek të miturit nga përdorimi i cigareve elektronike dhe varësia që ato krijojnë.
Një cigare elektronike kushton nga 800 deri 1200 leke. Ky produkt tregtohet në pikat e shitjes së duhanit, në markete e madje edhe në dyqanet pranë shkollave. Me ligj edhe cigaret elektronike nuk duhet t`u tregtohen personave nën moshën 18 vjeç.
Ekspertët e shëndetit publik ju bëjnë thirrje institucioneve përgjegjëse të rrisin ndërgjegjësimin e të rinjve për rrezikun nga përdorimi i cigareve elektronike si dhe të ndëshkojnë subjektet që u tregtojnë fëmijëve këto produkte. (A2 Televizion)