Po bëhet dita ditës më dramatike situata në Hong Kong. Tre të shtëna me pistoletë nga një polic në distancë të afërt dhe një i ri i plagosur, që tashmë është në gjendje kritike. Këtë të hënë, Hong Kongu u zgjua me një ngjarje të rëndë, e cila nxiti dhe më shumë protestat e qytetarëve kundër autoriteteve dhe dhunës së tepruar të policisë. Imazhet e veprimit të policit bën menjëherë xhiron e botës, ndërsa autoritetet mbrojnë reagimin e efektivit.
“Siç mund ta shikoni dhe nga pamjet, një person po mbante nga krahu kolegun tim dhe personi tjetër iu afrua me synimin për t’i marrë armën nga dora. Për shkak të këtyre dy kërcënimeve në drejtime të ndryshme, ai e dinte se po t’i merrnin armën, jeta e tij do të ishte në rrezik, prandaj vendosi të qëllonte”, deklaron Kong Wing-Heung, drejtues operacional i policisë.
Por ndryshe mendojnë protestuesit. “Si një i ri, unë kam përgjegjësi ta bëj këtë për shoqërinë time, pasi e dua Hong Kongun sepse është shtëpia ime. Pavarësisht se mund të kapem nga policia, apo torturohem për vdekje në departamentin e policisë, nuk më intereson, sepse nëse nuk veprojmë, e ardhmja e Hong Kongut do të kufizohet”.

Reagimi i policisë nxiti dhe më shumë trazirat. Protestues të maskuar vandalizuan biznese të ndryshme duke djegur dhe thyer çdo gjë që u dilte përpara.
Përtej dëmet materiale, regjistrohen edhe konfrontimet e para me atë pjesë të opinionit publik të qytetit-shtet që nuk i sheh me sy të mirë ekseset e protestuesve. Njeri prej tyre, sipas burimeve, pas një debati të ashpër ku vihej në dyshim identiteti kinez i protestuesve, është rrethuar nga disa prej tyre dhe pasi është lagur me benzinë i është vënë flaka.
Kjo është java e 24-rt radhazi që Hong Kongu proteston kundër autoriteteve duke kërkuar më shumë liri dhe pavarësi nga Kina. (A2 Televizion)