Dy ikona të ndryshme të modës u nderuan me çmime në Nju Jork të hënën: Jennifer Lopez dhe kukulla Barbie. Ato u vlerësuan për stilin e tyre nga Këshilli i Stilistëve të Amerikës (CFDA) shpesh të konsideruar si Çmimet Oscar të industrisë së modës.
Lopez mori çmimin e Ikonës së Modës për impaktin e gjatë dhe global në industrinë e modës, një vlerësim që më parë e kanë marrë emra të mëdhenj të shoëbiz-it, si Naomi Campbell, Beyoncé, Johnny Depp dhe Rihanna. Ndërsa kukulla Barbie mori çmimin e bordit të drejtorëve të CFDA për ndikimin e saj në industrinë e modës për 60 vitet e fundit.
Lopez mahniti të pranishmit më një veshje të Ralph Lauren e cila i tregonte format e tonifikuara. Para se të merrte çmimin, këngëtarja dhe aktorja u shpreh e nderuar për këtë vlerësim. “Më pëlqen moda, kam qenë e dhënë pas saj që kur isha e vogël. Kur jetoja në Bronx i prisja bluzat dhe xhinset për t’u dukur si Jannet Jackson, Madonna apo Sindey Loper. Më argëton kjo gjë”. Pas 4 ditësh, artistja nga lagjja Bronx do të nisë turneun "It's My Party Tour", i pari për të në 7 vjet. (A2 Televizion)