Çmimet e larta, qytetarët do të jenë çdo ditë te Kryeministria

Nga A2 CNN
13 Mars 2022, 17:26 | Aktualitet

Të mbledhur në sheshin “Skënderbej”, qytetarët vijuan marshimin përgjatë bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, në ditën e pestë të protestës. Me të mbërritur te Kryeministria nisën edhe thirrjet kundër kësaj qeverie.

Organizatorët e protestës i mëshuan uljes së çmimeve. Pjesëmarrësit lajmëruan që protesta vijon edhe pasditen e së hënës, por studentët kanë premtuar një rizgjim të revoltës së tyre.

Pas fjalimeve që zgjatën për 2 orë, një grup i vogël protestuesish bllokuan për 15 minuta hyrjen e rrugës “Myslym Shyri”. Ndërhyrja e policisë mundësoi edhe normalizimin e qarkullimit rrugor në atë zonë, ndërsa nuk pati përplasje mes tyre dhe protestuesve.

https://youtu.be/OrSiQ_k4lQ8

Një ditë më parë, kryeministri Edi Rama premtoi një seri masash për të përballuar situatën “e luftës”, siç e cilësoi ai krizën e çmimeve që ka kapur vendin tonë, por edhe shtete të tjera të Europës dhe botës. Sipas këtij plani, pensionistët, familjet që marrin ndihmë ekonomike, fermerët dhe popullata më lehtësisht e cenueshme do të mbështetet nga qeveria për të përballuar rritjen e çmimeve.

Pikat e paketës së rezistencës sociale:

1- 3.6 miliardë lekë ose 36 milionë USD, për indeksimin e menjëhershëm të pensioneve. Kjo masë do të reflektohet që në pensionin e radhës së 673.542 pensionistëve.

2-  Për 434 mijë përfitues, do të kompensojmë me lekë në dorë rritjen e çmimeve të shportës, e cila bazuar në përllogaritjen e INSTAT-it është 7% ose e kthyer në rritje mbi konsumin mesatar të llogaritur përpara goditjes, është 25 mijë lekë të vjetra.

Qeveria do të japë 30 mijë lekë të vjetra, për 3 muaj rresht, për këto kategori:

– Pensionistë që marrin më pak sesa gjysma e pagës minimale

– Pensionistë të invaliditetit

– Pensionistë që jetojnë vetëm

– Persona me aftësi të kufizuar, paraplegjikë, tetraplegjikë apo të verbër

–Të gjitha familjet që janë aktualisht në skemën e ndihmës ekonomike

3- Mbështetja për fermerët me naftë pa taksa do të shkojë në 1.4 miliardë lekë ose 14 milionë USD, me një shtesë plus prej 5 milionë USD e cila do të derdhet menjëherë.

4 – Qeveria do të mbështesë të gjithë shqiptarët që përdorin linjat urbane, qytetase dhe ndërqytetase, duke derdhur menjëherë 500 milionë lekë ose 5 milionë dollarë, për të paguar diferencën e çmimit të biletës, në mënyrë që asnjë udhëtar të mos preket nga ndryshimi i çmimit.

5 – Afrojmë dy muaj përpara futjen në fuqi të ligjit për zerimin e taksës mbi pagat deri në 400 mijë lekë të vjetra, përgjysmimin e taksës mbi pagat deri në 500 mijë lekë të vjetra, si edhe uljen e takses mbi pagat nga 1.5 deri në 2 milionë të reja.

Këto masa lehtësuese do të reflektohen në pagat e prillit dhe prej tyre do të përfitojnë 360 mijë të punësuar.

Numri i të punësuarve në Shqipëri që paguajnë zero taksë mbi pagën, arrin një shifër që s’e ka askush në rajon, 56%!

6 – Afrojmë dy muaj përpara edhe futjen në fuqi të ligjit për pagën minimale, e cila në prill do të bëhet 320 mijë lekë të vjetra.

7 – Shtojmë me 20 miliardë lekë të reja ose 200 milionë USD, financimin e mburojës së çmimit të energjisë për konsumatorët familjarë dhe biznesin e vogël. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos