Çmimi dhe kërkesa e ulët për grurë po falimentojnë fermerët

Nga A2 CNN
3 Gusht 2023, 12:40 | Aktualitet
Çmimi dhe kërkesa e ulët për grurë po

Me mbi 530 hektarë tokë, Klinton Beqari është një ndër kultivuesit më të mëdhenj në vendin tonë për drithërat. Edhe pse ndër vite ka investuar në ambiente magazinimi dhe makineri bujqësore, ky vit duket se e ka vënë në vështirësi serioze, dhe kjo me kulturën më të kërkuar vjet, grurin. Hambarët e Beqarit, janë ende të mbushur si asnjëherë më parë në këtë periudhë dhe ai shpjegon vetë arsyet e kësaj situate.

“Çmimi është shumë i ulët krahasuar me vitin e kaluar. Këtë vit është 280 lekë vitin e kaluar ka qenë 480 lekë. Ne e kemi rezervuar. Mendojmë se do të rritet çmimi”, shprehet Beqari.

Ndonëse ka vite që operon në këtë fushë, ai nuk e kupton se çfarë ka ndodhur këtë vit duke parë edhe kërkesën e ulët në treg për grurin.

“Edhe kërkesat nuk kanë qenë ato që ne duam. Nuk ka shitje si vitet e kaluara. Nuk di çka ndodhur, por nuk ka shitje”.

I pyetur nëse ka përfituar subvencione, duke qenë se është edhe një ndër kultivuesit kryesore të drithërave në vend, marrim këtë përgjigje.

“Unë këtë vit ka fituar vetëm 1 mijë litra naftë, që nuk quhet fare. Me 500 ha tokë që kemi ne, duam një ditë të dalim në fushë, aq është”, deklaron ai.

Nëse çmimi i grurit dhe kërkesa do të mbeten të tilla siç janë, atëherë rreziku i  falimentit edhe tek kultivuesit e mëdhenj, është në horizont.

“Punën do ta vazhdojmë derisa do Zoti mbase nuk falimentojmë. Çdo vit po vështirësohet sidomos ky vit është risk i madh”, thekson ai. (A2 Televizion)

https://a2news.com/2023/08/03/cmimi-i-ulet-i-grurit-ekspertet-fermeret-duhet-ta-magazinojne-e-ta-shesin-ne-vjeshte/

A2 CNN Livestream

Latest Videos