
Ministrat e Energjisë të vendeve të Bashkimit Evropian takohen sot në Bruksel për të rënë dakord për vendosjen e një çmimi tavan për gazin. Kjo është një masë emergjente që e ka ndarë në dy pjesë opinionin në të gjithë bllokun dhe si synim ka të zbusë krizën energjitike.
Liderët javën e kaluar u kërkuan ministrave të tyre që të miratojnë tavanin të hënën për të finalizuar një politikë që është debatuar për muaj me radhë tashmë pa arritur një marrëveshje, pavarësisht dy takimeve urgjente .
Ata tani po shqyrtojnë një kompromis të ri të propozuar nga Republika Çeke, e cila mban presidencën e radhës të BE-së.
Në projekt-propozimin, i parë nga Reuters të hënën, parashikohet që tavani të aplikohet nëse çmimet në kontratën e përparme mujore të qendrës së gazit në Dutch Title Transfer Facility tejkalojnë 180 euro për megavat orë për tri ditë - shumë më e ulët se 275 euro/ MWh e propozuar fillimisht nga Komisioni Evropian muajin e kaluar.
Një sërë vendesh përfshirë Belgjikën, Poloninë dhe Greqinë, kanë kërkuar kufirin nën 200 euro/MWh për të trajtuar çmimet e larta të gazit që kanë ngarkuar faturat e energjisë të qytetarëve dhe kanë nxitur inflacionin rekord këtë vit pasi Rusia ndërpreu pjesën më të madhe të dërgesave të gazit në Evropë.
Por Gjermania, Holanda dhe Austria druhen se kufiri mund të çekuilibrojë tregjet e energjisë në Evropë dhe të devijojë ngarkesat e nevojshme të gazit larg BE-së.
Ata kanë kërkuar kushte më të rrepta, si pezullimi automatik i tavanit nëse do të ketë pasoja të padëshiruara. (A2 Televizion)