
Partizani synon të sigurojë biletën në turin e dytë kualifikues të Conference League, prej ndeshjes në Gjeorgji ndaj Saburtalos. Me dilemat për Skukën dhe faktit që Alban Hoxha pritet të mungojë edhe pse është stërvitur rregullisht, objektivat janë të qarta.
Dritan Mehmeti, trajner i Partizanit, u shpreh: “Është një ndeshje shumë e rëndësishme, jo vetëm për Partizanin, por edhe për Saburtalon. Ne kemi objektiva të qarta sepse e dimë çfarë skuadre jemi dhe traditën që kemi. Kemi shumë tifozë dhe duam t’i bëjmë të lumtur ata me një performancë të mirë si dhe duke shpresuar kualifikimin”.
Të kuqtë shfaqen të pjekur, nëse diskutohen shanset për kualifikim. Edhe pse Saburtalo është një skuadër thuajse e gjitha me lojtarë vendas, me shumë elementë të rinj dhe që merkato vlerësohet diçka më tepër se 4 milionë euro, Mehmeti nuk pranon të flitet për favoritë: “Do të jetë një duel shumë i vështirë dhe mendoj se kualifikimi është 50 me 50. Saburtalo është ekip i fortë dhe me futbollistë të rinj. Megjithatë, ata sillen si futbollistë me eksperiencë në fushë. Tani janë në kampionat dhe kanë ritëm. Ky mund të jetë një problem për ne. Por, kemi punuar këto javë që edhe ne të fitojmë ritmin sepse është i rëndësishëm”.
Sfida e parë e Partizanit me Saburtalon në Gjeorgji do të luhet në orën 18:00 me orën shqiptare. (A2 Televizion)