
Sezoni i mbyllur pa trofe dhe jashtë kupave të Europës, që ishin objektivi minimal është shoqëruar me spastrime në masë te Kukësi. Verilindorët njoftuan ndarjen e rrugëve edhe me tre futbollistë të tjerë.
Klubi mbylli bashkëpunimin me sulmuesin malazez Alija Krnić, mbrojtësin maqedonas Filip Gligorov dhe sulmuesin moldav Artiom Puntus. Sipas njoftimit zyrtar në faqen e Kukësit, “palët kanë arritur marrëveshje përmbylljen e bashkëpunimit”.
Përpara startit të sezonit të ri, në total nga skuadra janë larguar 13 futbollistë. Mes tyre spikatin portieri Xhika, mbrojtësit Mustae Marku, por edhe sulmuesit Shkurtaj, Feijao dhe Zenel Gavazaj. Dilema ka edhe për të ardhmen e kapitenit Bruno Lulaj.
Revolucioni te Kukësi ka ardhur pas emërimit në stol të Skënder Gegës. Trajneri i ri ka miratuar afrimet e 9 futbollistëve, mes tyre Peposhi e Kote, teksa një goditje interesante ka qenë edhe afrimi i Jakup Berishës, sulmuesit 22-vjeçar me një të kaluar te Shkëndija e Tetovës. (A2 Televizion)