
Shqipëria do të marrë 141.600 doza të vaksinës së AstraZeneca, me shpërndarjen që do të nisë brenda muajit shkurt.
Vetë kompania Covax publikoi kalendarin e shpërndarjes së vaksinave anti-covid në vendet anëtare, ku bën pjesë edhe Shqipëria. Siç duket në tabelën e publikuar në faqen zyrtare të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, në kalendar nuk përfshihet asnjë dozë vaksine nga Pfizer, të cilat do të shkojnë për vende të tjera, edhe pse më 1 janar, kryeministri Rama njoftoi se Shqipëria ka siguruar 500 doza të kësaj vaksine.
Në vendin tonë, brenda muajit, do të mbërrijnë mbi 141 mijë doza, që janë prodhuar në fabrikat e Covax në Korenë e Jugut. Sipas parashikimeve, pritet që sasia totale e dozave, të mund të imunizojë 3% të popullsisë së 145 shteteve në gjysmën e parë të këtij viti, duke nisur nga punonjësit e kujdesit shëndetësor.
Ndryshe nga Shqipëria, vende të tjera të rajonit do të përfitojnë jo vetëm në sasi por edhe me disa vaksina, Bosnje-Hercegovina do të marrë 153600 doza të AstraZenecas dhe 23400 doza të Pfizer/Biontech apo Serbia me 345600 doza. Kosova do të përfitojë vetëm nga vaksina e Covax me 100800 doza. Mali i Zi 84 mijë doza Covax, Maqedonia e Veriut 103.200 doza.
Pavarësisht kërkesës së lartë të shteteve për doza vaksinash, ky është vetëm furnizimi i parë, për të nisur programin e vaksinimit. (A2 Televizion)