
Presidenti i zgjedhur, Joe Biden, do t'u kërkojë amerikanëve të mbajnë maska për 100 ditët e tij të para në detyrë, për të frenuar përhapjen e koronavirusit.
Ai tha për CNN se beson se do të kishte një reduktim të rëndësishëm të rasteve me Covid-19 nëse çdo amerikan do të mbante maskë.
"Do t'i kërkoj qytetarëve të mbajnë maska për 100 ditë, vetëm aq, jo më shumë. Besoj do të shohim reduktim të rasteve", u shpreh Biden.
Biden dhë zëvendëspresidentja e zgjedhur, Kamala Harris, thanë se do të marrin vaksinën e Covid-19 sapo ajo të aprovohej, ndërsa inkurajuan punonjësit e vijës së parë, si mjekë e infermierë të bëjnë të njëjtën gjë.
"Unë dhe presidenti i zgjedhur mendojmë se ata që kanë më shumë nevojë do jenë prioritet", tha Harris.
Të enjten, mbi 100 mijë vetë, u listuan si të shtruar në spital me koronavirus. Kalifornia, ne mesin e një shpërthimi të ri rastesh, shkel frenat e emergjencës duke urdhëruar qytetarët të qëndrojnë në shtepi.
Autoritetet shëndetësore përsërisin thirrjet për amerikanët që të shmangin udhëtimet për festa e t'u përmbahen rregullave. Shtetet e Bashkuara i tejkaluan 14 milionë rastet me Covid-19, me 7 milionë infektime të shënuara vetëm në 69 ditë.
Mbi 276 mijë amerikane kanë humbur jetën që prej shpërthimit të pandemisë. (A2 Televizion)