
Departamenti i Shtetit i bën thirrje amerikanëve që të shmangin udhëtimet e panevojshme në Shqipëri, duke i rikonsideruar ato. Në një përditësim të fundit që mban datën 23 gusht, nënvizohet se situata pandemike në Shqipëri është në rritje. Por sipas DASH, amerikanët në Shqipëri nuk rrezikohen vetëm nga COVID.
“Rishqyrtoni udhëtimet në Shqipëri për shkak të COVID-19. Ushtroni kujdes të shtuar në Shqipëri për shkak të krimit”
Udhëzimi i Departamentit të Shtetit
Rreziku në Shqipëri për qytetarët amerikanë përcaktohet i nivelit 3 nga 4 që është shkalla maksimale. Për ata shtetas që e kanë të domosdoshme udhëtimin në Shqipëri, DASH i këshillon të vaksinohen plotësisht para nisjes.
“Sigurohuni që të jeni plotësisht të vaksinuar para se të udhëtoni në Shqipëri. Udhëtarët e pavaksinuar duhet të shmangin udhëtimet jo thelbësore në Shqipëri. Për shkak të situatës aktuale në Shqipëri, të gjithë udhëtarët mund të jenë në rrezik për të marrë dhe përhapur variantet e COVID-19”
Udhëzimi i Departamentit të Shtetit
Situata pandemike në Shqipëri është përshkallëzuar ditët e fundit çka ka bërë që DASH të rrisë nivelin e rrezikshmërisë. E njëjta panoramë, si në Shqipëri është edhe në Serbi dhe Maqedoni të Veriut që janë në të njëjtin nivel rreziku.
Niveli i tretë i rrezikshmërisë është një hap larg vendeve ku shtetasve amerikanë u kërkohet të mos udhëtojnë pasi vetë Shtetet e Bashkuara nuk mund të garantojnë sigurinë e tyre. Kosova dhe Mali i Zi janë dy shtetet e Ballkanit Perëndimor ku DASH i kërkon amerikanë që të mos udhëtojnë për shkak sepse përhapja e Covid-19 është më dramatike. (A2 Televizion)