
Kultura e dobët e përdoruesve të rrugës, menaxhimi i dobët i trafikut dhe puna e dobët e policisë rrugore janë disa nga faktorët që ndikojnë në rritjen e aksidenteve rrugore në vendin tonë. Këtë argumentim dha në studion e Ditari në A2 CNN ekspert i sigurisë rrugore në Shqipëri. Sipas tij një rol të rëndësishëm ka edhe drejtësia që duhet të japë kontributin e saj.
“Nëse studiojmë aksidentet rrugore nga ‘90 deri sot konstatojmë se kur po rritej numri i mjeteve, u rrit dhe frekuenca e aksidenteve. Nuk kemi gjetur metodat e duhura që t’i përshtatemi kulturës së sigurisë rrugore dhe nuk kemi akoma shtyllën kryesore në vend; drejtësinë që të japë kontributin e saj në përdoruesit e rrugës që përfshihen në aksident. Sa del nga vendi një qytetar shqiptar bëhet i përgjegjshëm, pra është një jetë bipolare dhe kjo të çon në atë që thelbi i aksidentit ndikon nga kultura e ulët e përdoruesve të rrugës, nga menaxhimi i dobët i trafikut që ndodh në vendin tonë dhe policia rrugore puna e tyre është shumë e dobët”.
Nisur nga numri i lartë i aksidenteve në vend, Sulçe thekson se duhet të ndryshojë edhe Kodi Rrugor, dhe bashkëpunimi mes pushtetit lokal e vendor. “Nëse nuk punojnë bashkë pushteti lokal e vendor është shumë e vështirë. Lind detryimi për ndryshim në kodin rrugor”.
Po kështu një tjetër problematikë që çon në aksidentet rrugore është edhe infrastruktura rrugore, ku Sulçe apelon që përveç investimeve të kryhet edhe digjitalizimi.
“Infrastruktura rrugore duhet të jetë e koherente, e besueshme dhe të pasqyrojë realitetin ku lëvizni. Ka ardhur koha që këto rrugë interurbane të digjitalizohen se ne po bëjmë investime në infrastrukturë, por duhet të digjitalizohen. Nuk ka arsye të dalë policia me radar, por duke u digjitalizuar policia është mobile dhe nëse konstaton një parregullsi e ndjek dhe shmang rrezikun”. (A2 Televizion)