
Pandemia e Covid-19 ka pasur efekte shkatërruese tek turizmi ndërkombëtar në vitet 2020 dhe 2021, duke shkaktuar humbje prej 4 trilionë dollarësh në GDP-në globale sipas një raporti të OKB.
Raporti i publikuar të mërkurën, pretendon se turizmi ndërkombëtar dhe sektorët e lidhur ngushtë me të pësuan një humbje prej 2.4 trilionë dollarësh në vitin 2020 për shkak të ndikimit direkt dhe indirekt që rezultoi me rënie drastike të udhëtimeve turistike.
“Aktualisht, turizmi ndërkombëtar është në nivelet e 30 viteve më parë, pra praktikisht jemi në vitet 80-të. Kemi humbur 1 miliardë turistë dhe një miliardë mundësi në shtetet në zhvillim”, thotë Zoritsa Urosevic , përfaqësuese e Organizatës Botërore të Turizmit.
Raporti paralajmëron se humbje e ngjashme mund të shënohen edhe gjatë këtij viti, me parashikimet që flasin për tkurrje mes 1.7 dhe 2.4 trilionë dollarësh.
Për analistin Ralf Peters, “rënia e GDP-së është dramatike, kështu ne parashikojmë se në skenarin më të keq humbja do të jetë 2.4 trilionë dollarë në vitin 2021, ndërsa në skenarin më optimist do të kemi 1.7 milion trilion dollarë tkurrje”.
Kjo sugjeron se rimëkëmbja e sektorit të turizmit do të mbështetet gjerësisht në mbarëvajtjen e fushatës globale të vaksinimit. Si pasojë e shpërndarjes jo të barabartë të vaksinave humbjet në sektorin e turizmit në shtetet e zhvilluara janë më pak të ndjeshme se sa në vendet në zhvillim kur numri i vizitorëve ra me 60 deri në 80 përqind.
Raporti parashikon se vendet me nivel të lartë vaksinimi do të rimëkëmben më shpejt, megjithatë duhet pritur deri në 2023-shin e madje edhe më vonë që turizmi ndërkombëtar të rikthehet në nivelet e para pandemisë. (A2 Televizion)