Covid-19 në Europë, Spanja, i pari vend me mbi 500 mijë infektime

Nga A2 CNN
8 Shtator 2020, 13:56 | Bota
Covid-19 në Europë, Spanja, i pari vend me mbi 500 mijë infektime

Spanja u bë vendi i parë në Europën Perëndimor që regjistron 500 mijë infektime me Covid-19, pasi një valë e re rastesh koincidoi me rihapjen e shkollave këtë javë dhe heqjen e kufizimeve në muajin qershor.

Sipas të dhënave të fundit të Ministrisë së Shëndetësisë, Spanja raportoi rreth 50 mijë raste të reja gjatë javës së fundit dhe 237 vdekje; 1/3 prej të cilave në Madrid.

Qendra për emergjencat shëndetësore pranoi rritjen e infektimeve, por theksoi se 50 për qind e rasteve të reja janë asimptomatikë e më shumë se gjysma e tyre janë nën moshën 40-vjeçare, me rrezikshmëri të ulët për ndërlikime e vdekje.

Franca e përshkruan si shqetësuese situatën me koronavirusin në vend, ndërsa infektimet ditore vazhdojnë të jenë në nivele rekord. 4203 raste të reja u shënuan të hënën e megjithatë, ministri i Shëndetësisë Olivier Veran thekson se niveli i infektimit as nuk i afrohet atij të fazës fillestare të pandemisë.

I ashtuquajturi faktori R është aktualisht 1.2, ndërsa në pranverë ishte 3.2. Veran tha se këshilli shkencor francez mbështeti idenë e një periudhe 7-ditore izolimi e jo 14 ditë, për personat që do të rezultojnë pozitivë.  

Shqetësuese po konsiderohet edhe situtata në Britaninë e Madhe. Autoritetet bëjnë thirrje për vigjilencë ndërsa gati 3 mijë infektime të reja u raportuan në 24 orët e fundit. Në kulmin e pandemisë numëroheshin 6 mijë të prekur në ditë, por atëherë testet zhvilloheshin kryesisht në spitale.

Shkencëtarët paralajmërojnë për rritje shqetësuese të rasteve, veçanërisht gjatë ditëve të fundit.

Qeveria italiane, ndërkaq, firmosi dekretin që zgjat deri në 7 tetor masat parandaluese kundër Covid-19. Stadiumet e diskotekat do të qëndrojnë të mbyllura, ndërsa vendi vijon të raportojë rritje të infektimeve.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos