
Bilanci italian i koronavirusit sot flet për një ulje domethënëse të shifrave, siç ndodh shpesh herë gjatë fundjavës.
Sipas autoriteteve italiane, u regjistruan 16308 raste të reja infektimesh me COVID-19, ndërkohë që dje ishin 18 mijë. Viktimat janë 553, 121 më pak se 24 orë më parë. Në rënie edhe raporti testime/pozitivitete, që bie poshtë 10%.
Veneto konfirmohet si rajoni më i goditur me 3834 raste, i ndjekur nga Lombardia me 1944 dhe Emilia Romanja me 1641.
Vendi do të mbyllet pothuajse totalisht nga data 24 deri në 6 janar, gjë që ka përshpejtuar blerjet e fundvitit për italianët, me skena grumbullimesh që shqetësojnë ekspertët.
Sipas autoriteteve, fushata e vaksinimit me vaksinën Pfizer në Itali do të fillojë më 27 dhjetor me rreth 10 mijë vaksina kryesisht për personelin mjekësor, që do pasohen në janar me fushatën masive. (A2 Televizion)