
Departamenti Amerikan i Shtetit reagoi pas vendimit të Serbisë për të njehësuar politikën e jashtme me Rusinë, duke e cilësuar këtë vendim si thjesht të gabuar.
Sipas DASH asnjë vend nuk duhet të zgjerojë bashkëpunimin me Rusinë, në një kohë që ajo vazhdon agresionin në Ukrainë.
“Lajmi për këtë marrëveshje të nënshkruar me Rusinë ishte befasues dhe në kundërshtim të plotë me takimet e tjera konstruktive në Nju Jork me zyrtarët serbë. Përafrimi i mëtejshëm me Rusinë është një hap në drejtimin e gabuar dhe në kundërshtim me aspiratat evropiane të deklaruara të Serbisë”, tha zëdhënësi i Departamentit të Shtetit.
Të premten ministri i Jashtëm serb Nikola Selakoviç nënshkroi marrëveshjen për konsultime të ndërsjella mbi çështjet e politikës së jashtme me ministrin e jashtëm rus Sergey Lavrov. Marrëveshja u nënshkrua ndërsa dy ministrat ndodheshin në Nju Jork për të marrë pjesë në sesionin e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, ku shumica e delegacioneve perëndimore shmangën kryediplomatin rus për shkak të agresionit të Rusisë në Ukrainë.
Serbia, një kandidate për anëtarësim në Bashkimin Evropian, varet nga Rusia për furnizimet e saj me gaz natyror dhe ka refuzuar t'u bashkohet sanksioneve perëndimore kundër Moskës për shkak të agresionit të saj në Ukrainë. (A2 Televizion)