
Suedia ka zbuluar një rrjedhje të katërt në tubacionet që çojnë gazin natyror rus në Bashkimin Europian. Danimarka dhe Suedia raportuan më herët gjatë javës për 3 rrjedhje gazi në tubacionet e Nord Stream 1 dhe 2, duke ngritur dyshimet për një sulm të qëllimshëm. Por gjatë së enjtes, roja bregdetare suedeze tha se kishte gjetur një të katërt në gazjellësin Nord Stream 2.
Bashkimi Europian e ka akuzuar shpesh Rusinë se po përdor furnizimet me gaz si një armë. Edhe pse denoncon një sabotazh, BE, nuk e përmendi drejtpërdrejtë Rusinë lidhur me incidentin. Liderët e bllokut u zotuan të mbrojnë infrastrukturën kritike të energjisë duke premtuar reagimin më të ashpër të mundshëm ndaj çdo sulmi.
“Çdo veprim i qëllimshëm kundër infrastrukturës energjetike europiane është i papranueshëm dhe do të marrë përgjigjen më të fortë të mundshme”. Moska i mohon sugjerimet se kishte sulmuar gazsjellësit e vet, duke i cilësuar ato si të parashikueshme dhe qesharake. Madje Kremlini e drejtoi gishtin nga Shtetet e Bashkuara, duke thënë se shpërthimet në tubacione kishin ndodhur në zona të kontrolluara nga inteligjenca amerikane.
Por Uashingtoni i mohoi kategorikisht pretendimet dhe tha se Rusia njihet për përhapjen e dezinformatave.
“Është shumë e parashikueshme dhe qesharake t’u japësh zë versioneve të tilla. E përsëris është një budallallëk…Ky është një problem i madh edhe për ne. Gazsjellësat janë të mbushur me gaz, dhe ky gaz kushton shumë”, tha zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov.
Norvegjia, e cila nuk është në Bashkimin Europian tha se do të dërgojë ushtrinë për të mbrojtur infrastrukturën e naftës dhe gazit.
As Nord Stream 1-shi e as 2-shi nuk po transportojnë gaz për momentin edhe pse te dyja janë të mbushur me gaz. Sizmiologët raportuan shpërthime nënujore para rrjedhjeve dhe komanda e mbrojtjes në Danimarkë ka publikuar xhirimi ku duken flluska në sipërfaqen e detit Balltik. (A2 Televizion)