Debat i ashpër në Kuvendin e Kosovës, opozita kritikon Kurtin se po pranon ujdi pa njohje nga Serbia

Nga A2 CNN
9 Shkurt 2023, 16:59 | Kosova
Debat i ashpër në Kuvendin e Kosovës, opozita kritikon Kurtin se

Dialogu me Serbinë solli debate të forta në Kuvendin e Kosovës. Kryeministri Albin Kurti mbrojti propozimin europian, të pranuar si kornizë për ujdinë finale, duke e konsideruar në favor të Kosovës, pasi në të nuk përfshihet asociacioni. Opozita e kritikoi se po pranon një marrëveshje pa njohje reciproke.

“Emisarët evropian nuk na kanë sjellë një dokument në stilin “merre ose lëre”, andaj s’kanë mundur të sjellin propozimin për marrëveshje finale, por kanë sjellur propozimin për marrëveshje bazë ose le të themi për një kornizë. Marrëveshje finale pa njohje reciproke në qendër nuk mund të ketë, kjo nuk është finale”, tha Kurti.

Memli Krasniqi, kryetar i PDK, u shpreh: “Sot u befasova se sa mirë e sa ëmbël keni filluar me arsyetu propozimin evropian apo planin evropian, sepse askush nuk di ta thotë saktë as termin e këtij dokumenti. Fillove t’i vendosësh mjaltë këtij ilaçi të hidhur. Pse po fshihesh prapë pas opozitës? Pse po frikësohesh? Apo të ka frikësuar Escobari e Lajçaku, ata nuk janë më të rëndësishëm se qytetarët e tu që të kanë dhënë votën”.

Ndërsa Lumir Abdixhiku, kryetar i LDK-së, tha: “Ti nuk po tregon se çfarë po bëhet, por e ke pranuar një dokument. Je i paqartë për rrugën që duhet ndjekur përpara, por e ke pranuar dokumentin. Si mund të pranosh marrëveshje që nuk është finale dhe nuk e ka njohjen në të?

Debate të forta shkaktoi edhe diskutimi për çështjen e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe në Kosovë.

“Asociacioni i komunave me shumicë serbe është zajedincë e Hashim Thaçit dhe Isa Mustafës. Por, duke iu falënderuar qeverisë me mua kryeministër nuk po zbatohet. Sa për juve, ish kryer ajo... Kur po jep deklarime Escobar, po thotë se për një njeri nuk ndalet Asociacioni, ai është momenti kur ju duhet me thënë se kryeministri nuk është vetëm. Por ju nuk dilni, heshtni”, tha Kurti.

Memli Krasniqi u përgjigj: “Për dallim prej teje që në Twitter bëhesh pulë dhe në Facebook bëhesh skifter, kërkoi transkriptet në State Department dhe shiko a i kam thënë Esobarit pak më rëndë se ty”.

Zëvendëskryeministri i parë i Kosovës, Besnik Bislimi, sqaroi më herët se Bashkimi Europian kishte vetëm dy vërejtje për 6 kushtet e Kurtit për Asociacionin. Ndërsa Përfaqësuesi i Lartë për Politikë të Jashtme, Josep Borrell, konfirmoi se shumë shpejt do të caktohet një datë për takimin Kurti-Vuçiç në Bruksel, ku do të diskutohet për propozimin europian për marrëveshjen finale. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos