Kurti pranon propozimin e BE, Lajçak pas vizitës në rajon: Së shpejti takim i nivelit të lartë

Nga A2 CNN
7 Shkurt 2023, 13:01 | Kosova
Kurti pranon propozimin e BE, Lajçak pas vizitës në rajon:

“Jam i lumtur që Kosova pranoi në parim, propozimin europian për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.”

Kështu u shpreh në Twitter, i dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun Miroslav Lajcak, pas vizitave të zhvilluara në Prishtinë dhe Beograd ditën e hënë.

Teksa postoi foto nga bisedimet me liderët e Kosovës dhe Serbisë, zyrtari i BE-së paralajmëroi se bisedimet do të vijojnë në një takim të nivelit të lartë.

Përgatitjet për një takim të mundshëm mes udhëheqjeve të të dyja vendeve, Lajçak i përmendi edhe në deklaratën e dhënë, menjëherë, pas takimit me Kurtin.

“Pas hezitimeve fillestare për të dhënë një deklaratë të qartë lidhur me qëndrimin për propozimin europian, Kurti bëri një hap prapa dhe u shpreh hapur në mbështetje të atij që quajti, bazë të mirë për diskutime të mëtejshme dhe një platformë solide për të ecur përpara. Çështje e pikëpyetje të caktuara do të adresohen së shpejti në Bruksel.”

Kryeministri Kurti tha se Kosova është e interesuar për një marrëveshje me Serbinë por sipas tij, kjo nuk mjafton, pasi duhet edhe gatishmëria e palës tjetër.

Sakaq, presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, tha pas takimit me Lajçak se kishte zhvilluar një bisedë miqësore dhe të hapur me të dërguarin e posaçëm të BE-së.

Në prag të takimit, numri një i Beogradit, theksoi se do të vazhdojë të mbrojë vendin e tij dhe se perëndimi mund të ëndërrojë për njohjen reciproke mes Prishtinës dhe Beogradit.

Paraprakisht, mediat në Beograd kanë njoftuar se Vuçuiç, gjatë mbledhjes së Partisë Progresive serbe ka thënë se është i gatshëm të shkojë në zgjedhje të parakohshme dhe se nuk do t’i dorëzohet shantazheve të perëndimit e të opozitës. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos