Debat në komisionin e sigurisë, PD: Malli u hoq, avioni i Vermoshit dy ditë që fluturonte mbi Shqipëri

Nga A2 CNN
5 Tetor 2021, 15:27 | Politikë
Debat në komisionin e sigurisë, PD: Malli u hoq, avioni i Vermoshit dy

Avioni që mbeti në Vermosh u bë objekt debati ndërmjet opozitës dhe Ministrit të Brendshëm në mbledhjen e Komisionit të Sigurisë. Enkelejd Alibeaj kërkoi sqarime nga Ministri mbi hetimet duke akuzuar strukturat ligjzbatuese se prej disa ditësh kanë injoruar qarkullimin e avionit në territorin shqiptar.

“Dy të huaj pilot të një avioni që rastësisht bie në territorin shqiptar dhe që merret po rastësisht dhe zhduket me një fuoristradë që bashkë me pilotët merr dhe mallin brenda dhe që policia e shtetit nuk di asgjë. Ka dy ditë që avioni vjen vërdallë, pyet një herë përhistorinë me Malin e zi për këtë avion”, deklaroi Alibeaj.

Përgjigja e Ministrit ishte e thjeshtë dhe formale.

“Për aksidentin për pilotët, sigurisht ndëshkimin e ligjit deri në fund, nuk ka asnjë tolerancë për këtë. Nuk dua të bëhen zëdhënësi policisë së shtetit dhe hetimi ka filluar. Të jeni të sigurt se nuk do të ketë asnjë tolerancë për këtë gjë”, u shpreh Çuçi.

Në krah të Çuçit doli Paulin Sterkaj, deputeti që mbulon edhe zonën ku mbeti avioni enigmatik, i cili kërkoi të mbyllej ajo temë për t’u kthyer te rendi i ditës.

“Po dalim nga rrjedhja e diskutimit të dekretit të presidentit. Edhe ministri e dha përgjigjen. Thirreni në interpelancë Ministrin, mos t’i zëmë vend diskutimeve për dekretin”, tha Sterkaj.

Edhe me rikthimin në rendin e ditës, debatet nuk munguan. Shkak ishte ligji për të huajt, i kthyer nga Presidenti me dekret.

“Ju doni të rrëzoni dekretin se e ka kthyer Meta që e keni shkarkuar”, shtoi Alibeaj.

“Mbledhja e komisionit tejkaloi parashikimet e kryetarit Nasip Naço, i cili pas 150 minutave diskutime, vendosi ta hedhë në votë dekretin në një kohë që opozita kërkonte të fliste sërish

“Kush është dakord, asnjë. Ku është kundër? Rrëzohet dekreti i Presidentit”, përfundoi Naço. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos