"Debati jo për hartën territoriale, por elektorale", kreu i Bashkisë Librazhd: Decentralizim i mëtejshëm i pushtetit lokal

Nga A2 CNN
28 Shtator 2022, 10:08 | Politikë
"Debati jo për hartën territoriale, por elektorale", kreu i

Debati për reformën territoriale i cili nuk po gjen ende konsensus në komision, për kryetarin e Bashkisë së Librazhdit, Kastriot Gurra, është një debat i provokuar politikisht që ka të bëjë më shumë me hartën elektorale sesa atë territoriale. Në studion e Ditarit në A2 CNN, ai tha se ky debat nuk ka lidhje me problematikën reale të pushteti lokal.

“Për fat të keq, debati i provokuar nuk ka lidhje me funksionet apo problematikat e pushtetit lokal, por për shkak të nevojës politike për ta përdorur pushtetin lokal për interesat e veta. Debati më duket i provokuar politikisht. Debati fillon me një hartë të re më shumë se territoriale për hartë elektorale. Nuk ka debat real për pushtetin lokal”.

Sipas tij, duhet hapur debati për decentralizimin e mëtejshëm të pushtetit lokal, si edhe rritje e fondeve nga pushteti vendor.

“Unë mendoj që duhet hapur një debat real për decentralizimin e mëtejshëm të pushtetit lokal. Pushteti lokal është i paplotë për decentralizmin. Duhet rritur financimi nga pushteti vendor 1%, është e pamundur të plotësojë nevojat e pushtetit lokal dhe disa kompetenca t’i kalojnë pushtetit lokal. Decentralizimi është ende një mision i paplotë, që ka nisur në 2015 dhe ka ngecur aty. Pushteti lokal duhet të ketë akses të plotë në arsim, shëndetësi dhe rend publik. Ne dimë të adresojmë shqetësimet për komunitetin tonë”.

Prej 8 vitesh në krye të bashkisë së Librazhdit, Gurra lë të kuptohet se shpreson që të jetë pjesë e listës së kandidatëve për këtë bashki, nisur nga angazhimet që ai thotë se ka mbajtur për qytetarët dhe rezultatet në zgjedhje. Por sipas tij, ende nuk flitet për emra konkretë, pavarësisht mbështetjes që ka marrë vazhdimisht nga qeveria.

“E rëndësishëm për mua si Kastriot dhe kryetarët e bashkive është që të bëjmë gjithçka mundemi për të realizuar me sukses të gjitha angazhimet që kemi marrë. Unë i kam marrë në 2015, jam i lumtur që kemi bërë një pjesë të angazhime dhe qytetarët na kanë mbështetur bindshëm duke marrë rezultate fantastike  në zgjedhje. Çështja e kandidimit është një strukturë e tërë socialiste, që i ka të gjithë indikatorët për të marrë një vendimmarrje që ajo e konsideron të drejtë. Nuk jemi te diskutimet, te emrat konkretë. Kemi pasur mbështetjen e qeverisë e kryeministrit Rama për të ndryshuar Librazhdin dhe kemi bërë shumë punë të mira. Në mandatin e dytë për fat të keq, fondet u fokusuan te rindërtimi, por e kemi pasur vëmendjen e qeverisë për gjithçka kemi bërë në Librazhd dhe besoj që kemi bërë shumë punë të mira”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos