
Deputetja demokrate Jorida Tabaku ka zbardhur detaje rreth takimit që ajo zhvilloi me ambasadoren e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Yuri Kim.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Tabaku shprehet se bisedoi me diplomaten amerikane për luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.
Tabaku shton se e informoi ambasadoren për nismat më të reja të qeverisë si amnistia fiskale, apo legalizimi i kanabisit, të cilat sipas saj nuk janë në frymën e integrimit.
“S’ka rrugë tjetër veç përmbushjes së kushteve për të sjellë ndryshimin: Lufta korrupsionit, krimit të organizuar; zgjedhjet e lira dhe ndershme duhet të jenë kryefjala e politikës!
Gjithashtu fokus të veçantë me ambasadoren morën dhe shqetësimet e opozitës & ekspertëve të pavarur mbi nismat e fundit qeveritare si: Amnistia Fiskale, Pasaportat e Arta, Legalizimi Kanabisit që nuk janë projekte nën frymën e integrimit ndaj i duhet thënë stop!
E angazhuar për të mbikëqyrur dhe kontrolluar punën e qeverisë në këtë proces; duhet ndryshuar mentaliteti administratës publike”, shkruan Tabaku. (A2 Televizion)