
Sherif Kallaku ishte një nga lojtarët e rinj që debutuan te Shqipëria në transfertën e Azerbajxhanit, e mbyllur 0-0.
Pas takimit, ish-mesfushori i Teutës së Durrësit u shpreh i kënaqur me lojën, ndërsa theksoi se fati nuk ishte me Shqipërinë në këtë ndeshje.
“Ndjej keqardhje për rezultatin, pasi kemi zhvilluar një ndeshje shumë të mirë. Duhet të kishim shfrytëzuar më mirë rastet, por besoj se edhe fati nuk ishte me ne. Jam i lumtur për lojën e mirë që kemi zhvilluar. Sot ishte debutimi im, ndoshta edhe unë nuk isha i lirshëm, por u mendova të bëja lojën time. Mendoj se jemi përshtatur me njëri-tjetrin. Duhet të tregohemi më të saktë para portës”, tha Kallaku.
Më tej, ai tregoi edhe një detaj që e la atë në të majtë të mesfushës, një pozicion jo i zakontë për të. “Në seancat stërvitore unë kam qenë pas sulmuesve, por trajneri mendoi se 3-5-2 ishte skema e duhur”, tha Kallaku.
I të njëjtit mendim ishte edhe Armando Broja, duke theksuar se Kombëtares i mungoi fati. “Nuk patëm fat. Unë pata 2-3 raste. Seferi pati rast të mirë. Shpresoj të fitojmë ndaj Lituanisë”, tha Broja. (A2 Televizion)