Diploma universitare është sot kriteri bazë për t’u punësuar në administratë dhe gjithmonë e më tepër në sektorin privat, pavarësisht profesionit. Kjo është arsyeja pse mesatarisht rreth 35 mijë studentë diplomohen çdo vit në programet Bachelor dhe Master.
Të dhënat e Institutit të Statistikave tregojnë që pjesa dërrmuese e studentëve zgjedhin degët e ekonomikut dhe juridikut, duke zënë 27.8% të totalit të të diplomuarve. Profesionet bazë si mjekët, infermierët dhe mësuesit ndikojnë në renditjen e degëve të shëndetësisë dhe arsimit, përkatësisht të dytën dhe të tretën në preferencat e të rinjve.

Por, ajo që bie në sy, është numri i ulët i atyre që zgjedhin degët e Teknologjisë së Informacionit, vetëm 5.3% e totalit, madje në rënie krahasuar me vitet e mëparshme.

Paradoksale për një ekonomi të mbështetur fort në bujqësi dhe turizëm është numri i të diplomuarve në programet e studimit në bujqësi dhe në shërbime, duke faktuar edhe njëherë që këto janë prioritete të shpallura vetëm në letër. (A2 Televizion)
