
Kryeministri i Britanisë së Madhe, Boris Johnson, reagoi pas vendimit të fundit të Turqisë, e cila me heqjen e vetos i krijoi mundësinë NATO-s të zgjerohet më tej me dy vende të tjera.
"Mësimi i parë që duhet nxjerrë është se nëse Vladimir Putin shpresonte të kishte më pak NATO në kufij, ai gaboi: pas pushtimit të Ukrainës ai do të ketë më shumë NATO", u shpreh Johnson në Madrid.
"Ky është një samit historik në shumë mënyra, ne do të kemi dy anëtarë të tjerë dhe është një hap përpara për Aleancën; ne do të kuptojmë më pas se si mund ta ndihmojmë më tej Ukrainën, por duhet të nxjerrim mësimet e muajve të fundit dhe të rishikojmë pozicionin tonë në frontin lindor”, shtoi Johnson.
Kryeministri britanik ka qenë një ndër mbështetësit kryesorë të Ukrainës që nga nisja e luftës dhe shpeshherë zyrtarët rusë kanë paralajmëruar skenarët më të dhunshëm ndaj Mbretërisë së Bashkuar nëse do të kishte një përshkallëzim të konfliktit. (A2 Televizion)