Deklarata e Ramës për punëtorët e huaj, Këlliçi: Mungesë interesi që kryeministri ka ndaj rinisë së vendit

Nga A2 CNN
6 Prill 2021, 19:24 | Politikë
Deklarata e Ramës për punëtorët e huaj, Këlliçi:

Pak ditë më parë, në një prej fasonerive të Shkodrës, kryeministri Edi Rama promovoi punën e punonjësve të huaj. Kreu i qeverisë deklaroi se me ligjin e ri për të huajt, ata mund të vijnë shumë më lehtë, ndërsa janë shumë punëtorë. Kjo deklaratë e tij solli jo pak reagime

“Me këtë pagë që ke ti këtu, i ke të sigurt punëtorët e huaj nga Bangladeshi, nga Afganistani, nga India. I ke “pronto”, nuk dinë as shqip dhe nuk merren me thashetheme. Sa të fillojnë me mësu shqip, fillo ndërroi se i futet krimbi, jo politika, jo demokracia, jo më the, jo të thashë”.

Kjo deklaratë e kryeministrit Edi Rama, nga Shkodra, ngjalli jo pak polemika. Për Partinë Demokratike, gjithçka është shprehje e mungesës së interesit të qeverisë ndaj rinisë shqiptare, që vijon të largohet nga vendi.

“E gjitha është në kuadër të propagandës. Unë e cilësoj si një mungesë interesi që ai ka ndaj rinisë së vendit, të cilën e ka treguar me protestën e studentëve në 2018 dhe me Paktin për Universitetin”, tha Belind Këlliçi, kryetar i Forumit Rinor të Partisë Demokratike.

Fenomenin e krahut të punës që vjen nga vende të botës së tretë, demokratët e shpjegojnë me realitetin e shqiptarëve që, në mungesë të shpresës, largohet drejt Perëndimit.

Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi, mbajti gjithashtu një qëndrim të ashpër për deklaratën e kryeministrit: “Ta çojmë Ramën në Bangladesh dhe të mbajmë shqiptarët. T’u japim shansin që të punojnë, të arsimohen sepse shanset e mundësitë janë pa fund”.

Partia Socialiste zgjodhi të mos i përgjigjej akuzave. Të pyetur nga A2, anëtari i Komisionit të Ekonomisë, Ervin Bushati, si dhe zëvendësminitrat Besart Kadia, Vasilika Vjero, Dajna Sorensen nuk pranuan të prononcohen. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos