
Bashkimi Evropian do të ritheksojë përkushtimin për perspektivën evropiane të vendeve të rajonit të Ballkanit Perëndimor, në të ashtuquajturën “Deklarata e Zagrebit”, që do të publikohet pas videokonferencës mes krerëve të Unionit dhe atyre të Ballkanit Perëndimor më 6 maj.
Megjithatë, në dokumentin e cituar nga Evropa e Lirë nuk përmenden as anëtarësime e as ndonjë afat kohor. “Sot, BE-ja rikonfirmon edhe një herë mbështetjen pa rezerva për perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor, partnerët nga Ballkani Perëndimor konfirmojnë përkushtimin ndaj perspektivës Evropiane si një zgjidhje e vendosur strategjike”, është një nga citimet e atij dokumenti.
Samiti do të zhvillohej në kryeqytetin e Kroacisë për t’i dhënë një shtysë të re procesit të zgjerimit. Por, rrethanat e krijuara për shkak të pandemisë bënë që takimi të zhvillohet përmes një videokonference, edhe pse deklarata e përbashkët do të quhet “Deklarata e Zagrebit”.
Megjithatë shumë shtete anëtare të Bashkimit Evropian kanë dashur që ky takim të mos jetë rreth zgjerimit, por më shumë rreth forcimit të lidhjeve mes rajonit dhe BE-së.
Sipas burimeve diplomatike të cituara nga Evropa e Lirë, kjo është bërë me kërkesë të shteteve skeptike të zgjerimit, si Holanda, Franca e Gjermania. Arsyeja tjetër lidhet me dallimet rreth statusit të Kosovës dhe pjesëmarrjes së saj në takim, ndërsa thuhet se Spanja dhe disa shtete që nuk e kanë njohur pavarësinë nuk do të merrnin pjesë në takim nëse Kosova do të trasohej si shtet.
Në pjesën më të madhe të dokumentit përmendet ndihma që BE-ja ka dhënë dhe planifikon të japë për vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor. Sidomos përmendet plani i Komisionit Evropian për të mobilizuar mbi 3.3 milionë euro ndihmë për përballimin e pasojave të pandemisë. Në dokument thuhet se fakti që “BE-ja ka dhënë më shumë ndihma se cilido partner tjetër duhet publikisht të vlerësohet”. (A2 Televizion)