Izraeli, në një nga zgjedhjet më të rëndësishme të historisë së tij! Votuesit iu drejtuan kutive të votimit me një pjesëmarrje rekord në orët e para të ditës, ndërsa kryeministri Benjamin Netanyahu përballet me një provë të fortë politike pas vitesh konfliktesh dhe përplasjesh të brendshme.
Brenda vetëm tri orëve nga hapja e qendrave të votimit kishin votuar 16,7 për qind e zgjedhësve në atë që, sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, është ritmi më i lartë i pjesëmarrjes që prej vitit 1981. Këto janë zgjedhjet e para që nga sulmi i Hamasit më 7 tetor 2023, dita më vdekjeprurëse në historinë e Izraelit, e cila u pasua nga lufta në Gaza dhe përshkallëzimi i konflikteve në Liban dhe Iran.
Pritshmëria ime është që secila palë të sigurojë vetëm një shumicë të vogël. Nuk do të ketë fitore dërrmuese. Sigurisht, dëshira ime është që kjo qeveri të largohet nga pushteti. Ajo i ka shkaktuar dëme jashtëzakonisht të mëdha Izraelit dhe, sipas mendimit tim modest, koha e saj ka mbaruar.
Netanyahu kërkon të mbajë pushtetin, duke vënë në qendër të fushatës përvojën e tij në drejtimin e vendit gjatë luftës dhe mbështetjen e presidentit amerikan Donald Trump. Kryeministri, i cili ka qëndruar në pushtet për rreth 19 vjet në periudha të ndryshme, e paraqet veten si liderin e aftë për të përballuar armiqtë e Izraelit. Por kundërshtarët e tij kërkojnë llogari për dështimet e sigurisë që lejuan sulmin e 7 tetorit dhe paralajmërojnë një hetim kombëtar, të cilit qeveria e Netanyahut i ka rezistuar.
Rivali kryesor, ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë, Gadi Eisenkot, premton një ndryshim politik dhe angazhohet të çmontojë strukturat ushtarake dhe qeverisëse të Hamasit brenda 18 muajve nga formimi i qeverisë. Ai e ka kritikuar gjithashtu rezultatin e luftës në Gaza, ku, sipas autoriteteve shëndetësore palestineze, janë vrarë më shumë se 74 mijë palestinezë.
Një tjetër faktor vendimtar mund të jetë vota e arabëve izraelitë. Kandidati arab Ahmed Tibi ka deklaruar se kjo pakicë po voton në numër të paprecedentë. Megjithatë, Eisenkot ka përjashtuar bashkëpunimin e drejtpërdrejtë me partitë arabe, duke e komplikuar matematikën parlamentare.
(A2 Televizion)