
Kylian Mbappe ka kërkuar falje për komentet sipas tij “të pamenduara mirë” për ish-udhëheqësin kinez Mao Ce Dun, të cilat çuan në ndërprerjen e bashkëpunimit me të nga disa marka kineze.
Sipas raportimeve, Mbappe i kishte thënë emisionit francez të bisedave “The Bridge” se memja që e bën të qeshë më shumë është “ajo ku shfaqet një video e një burri, mendoj se është një diktator kinez...”.
Më pas, ai qesh, ndërsa emisioni shfaq një meme ku fytyra e tij është vendosur mbi një imazh që ngjan me atë të Maos.
Memeja është pjesë e një shakaje të përsëritur për sulmuesin e Real Madridit, i cili quhet metaforikisht “diktator” për shkak të ndikimit të tij të madh në futboll.
“Komenti im ishte i pamenduar mirë dhe tani e kuptoj se ka lënduar shumë njerëz në Kinë dhe në komunitetet kineze në mbarë botën”, deklaroi Mbappe në një reagim.
“U kërkoj falje të gjithë atyre që janë ndier të fyer nga fjalët e mia.”
Edhe La Liga spanjolle kërkoi falje, duke deklaruar se “i vjen thellësisht keq për fyerjen që komentet e fundit të Kylian Mbappe u kanë shkaktuar tifozëve kinezë”.
Shakaja nuk u prit mirë në Kinë, ku Mao Ce Duni nderohet nga Partia Komuniste, pavarësisht se sundimi i tij la miliona të vdekur.
Disa persona dolën në mbrojtje të Mbappe në rrjetet sociale kineze, por ky është një reagim i rrallë, duke pasur parasysh kontrollin e rreptë të internetit në Kinë, ku njerëzit pritet të respektojnë qëndrimet e partisë dhe qeverisë për çështjet e ndjeshme. (A2 Televizion)