Ish këshilltari për Sigurinë Kombëtare i Shtëpisë së Bardhë, ambasadori John Bolton, ka ndërlikuar edh më shumë situatën politike në Ballkan, me deklaratat e tij mbi një marrëveshje midis Thacit dhe Vucic për shkëmbimin e territoreve në kuadër të marrëveshjes Serbi-Kosovë. Por për ish ministrin e Jashtëm shqiptar, Kastriot Islami, Bolton “nuk i ka hedhur benzinës flakë, por i ka hedhur një ndriçim një çështjeje që diskutohej prej kohësh, ku të gjithë ata që e kanë denoncuar janë shpallur si armiq. Një çështje shumë e thellë, që nuk përfshin vetëm Kosovën, por të gjithë rajonin. Islami rrëfen për A2 se ka qenë gjithmonë i sigurt për dështimin e marrëveshjes, për dy arsye kryesore. “Kam patur gjithmonë bindjen që kjo marrëveshje do të bllokohej, kryesisht dhe ekzaktësisht nga Gjermania, qe nuk ka ceduar kurrë nga pozicioni i saj kundër. Për Berlinin në qofte se fillon në Ballkan shkëmbimi i territoreve, hapet kutia e Pandorës që nuk dihet ku të çon, sigurisht në destabilitetin e rajonit”, thotë ai, që shton edhe një tjetër bindje, e përforcuar nga deklaratat e Bolton. Sipas tij, “ky skenar pra nuk është amerikan dhe i presidentit Trump. Kjo është çështje midis Thaçit dhe Vucic që nis nga ky i fundit dhe që ka si skenar idenë e Serbisë së madhe që do të garantonte pushtetin e tij”. Sipas tij, ish-kryeministri Kurti ka qenë pengesë për këtë skenar, dhe për këtë arsye “faktorë të rëndësishëm që merreshin me këtë çështje e kanë larguar”, sepse nuk pranonte skenarin e gatuar prej kohësh. Për Islamin, këtë skenar e kanë pohuar në Serbi personalitete të ndryshme, si ish-ministri i Jashtëm Vuk Jeremic, që ka thënë se jo vetëm ekzistonte kjo marrëveshje, por “është i implikuar Edi Rama dhe ish- kryeministri i Britanisë Tony Blair, për habinë e vetë opinionit publik serb”. Diskutimet sipas tij kulmuan në Nish, aty ku tre liderët, Vucic Thaçi dhe Rama u takuan në kuadër të Minishengenit ballkanik, që sipas tij “paraqet të njëjtin skenar të prezantuar në mënyrë të ndryshme”. (A2 Televizion)
Deklaratat e Boltonit, Islami: Marrëveshja u bllokua nga Gjermania, por nuk ishte propozim amerikan
