
Këshilli i Lartë i Prokurorisë (KLP) ka dalë me një qëndrim zyrtar pas deklaratave publike të vëzhguesit ndërkombëtar të procesit të vetting-ut, Theo Jacobs, mbi cilësinë, sipas tij, jo të duhur të disa prej prokurorëve të SPAK.
“Në një përpjekje për të përzgjedhur prokurorët më të mirë, ne zhvilluam një proces tepër kërkues dhe transparent i cili zgjati plot 9 (nëntë) muaj. Në kuadër të atij procesi ne verifikuam në detaj profesionalizmin dhe integritetin e të gjithë kandidatëve. Kujtojmë se pavarësisht verifikimeve tona të thella, kushti mbi kushtet për të gjithë kandidatët ishte kalimi me sukses i sprovës së vetting-ut. Të gjithë prokurorët që sot shërbejnë në SPAK e kanë kaluar këtë sprovë”, lexohet në deklaratën e KLP-së.
Deklaratat që sikletosën Këshillin e Lartë të Prokurorisë u bënë më 16 korrik gjatë seancës dëgjimore për gjyqtarin e Apelit Shkodër, Selim Kryeziu.
Jacobs, i njohur për qëndrimet e tij të ashpra, pikante dhe të drejtpërdrejta, komentoi pushimin e shpejtë të hetimeve të nisur nga SPAK për Kryeziun duke thënë se çështja ishte mbyllur nga “prokurorë që nuk duhet të ishin në SPAK”. Në vijim të qëndrimit të tij, Jacobs akuzoi SPAK-un dhe Gjykatën e Posaçme për vendimmarrjen ndaj gjyqtarit të KPA, Luan Daci, duke thënë se prokurorë e gjyqtarë “që nuk duhet të ishin aty” ngritën akuza për vepra që nuk ishin vepra penale.
Qëndrimi i plotë i KLP-së:
Kujtojmë se sipas Kushtetutës, Këshilli ka për detyrë të garantojë, midis të tjerash, llogaridhënien dhe statusin e prokurorëve të republikës, përfshi prokurorët e SPAK. Për më tepër Këshilli është organ themelues i SPAK dhe mbikëqyrës sa i takon performancës dhe disiplinës së prokurorëve të kësaj strukture. Në këto kushte ne nuk mund të jemi indiferentë ndaj deklaratave publike që lidhen me profesionalizmin dhe integritetin e prokurorëve të SPAK.
Ne jemi të vetëdijshëm së suksesi i SPAK varet, në radhë të parë, nga cilësia dhe integriteti i prokurorëve të saj. Me këtë bindje, në një përpjekje për të përzgjedhur prokurorët më të mirë, ne zhvilluam një proces tepër kërkues dhe transparent i cili zgjati plot 9 (nëntë) muaj. Në kuadër të atij procesi ne verifikuam në detaj profesionalizmin dhe integritetin e të gjithë kandidatëve. Kujtojmë se pavarësisht verifikimeve tona të thella, kushti mbi kushtet për të gjithë kandidatët ishte kalimi me sukses i sprovës se vetting – ut. Të gjithë prokurorët që sot shërbejnë në SPAK, e kanë kaluar këtë sprovë. Natyrisht që integriteti dhe profesionalizmi i prokurorëve të SPAK nuk verifikohet vetëm një herë. Eshtë detyra e Këshillit të sigurohet në vijimësi për garantimin e standardeve profesionale e etike të prokurorëve të SPAK. Në këtë kuadër të gjitha institucionet dhe publiku i gjerë janë të ftuar të ndihmojnë Këshillin në realizimin e kësaj detyre të rëndësishme.
Nga ana tjetër, nuk duhet harruar se SPAK është institucion i ri i cili, mishëron aspiratën dhe mundësinë tonë më të mirë si shoqëri për arritjen e drejtësisë shoqërore përmes goditjes penale të krimit të organizuar dhe korrupsionit, me gjasë dy plagët më të thella të vendit. Në këto kushte, suksesi i SPAK, do të përcaktohet edhe nga imazhi publik i institucionit të ri dhe besimi që ai duhet të ngjallë tek publiku. Pikërisht në funksion të garantimit të këtij besimi, pa të cilin institucionet e drejtësisë nuk mund të funksionojnë në asnjë vend të botës, deklaratat publike (qofshin edhe personale) që venë në dyshim integritetin dhe/ose profesionalizmin e prokurorëve janë të qortueshme pasi sistemi ynë ligjor ofron mjete dhe procedura të përshtatshme për trajtimin e çdo pretendimi që lidhet me profesionalizmin dhe integriteti i prokurorëve. Çdo pretendim i këtij lloji nuk mund të trajtohet veçse në mënyrën e parashikuar nga ligji dhe në intitucionet e parashikuara nga ligji. Në të kundërtën çdo diskutim është i destinuar të jetë vetëm një opinion që vetëm cënon në mënyrë të padrejtë imazhin, edhe kështu të brishtë, të institucioneve të reja të drejtësisë. (A2 Televizion)