"Duhet me harxhu më shumë lekë për vota", Ted Kopliku zbulon takimin me zyrtarin e PS

Nga A2 CNN
29 Shtator 2025, 21:05 | Politikë

Ted Kopliku, ish-kandidat për deputet i Partisë Demokratike, i ftuar në studion e “Off the Record” nga Andrea Danglli, në A2CNN, zbuloi se çfarë i tha një eksponent i Partisë Socialiste në lidhje me zgjedhjet.

“Shkarkimin e zotit Veliaj dhe zëvendësimin e tij unë e shoh si pjesë e një skenari të madh, ku regjimi luan pjesën e tij dhe menjëherë pas zgjedhjeve e fut PD-në në një ekuacion pa zgjidhje. Po të futemi në zgjedhje, na thonë pse futeni kur këtu nuk ka zgjedhje; të mos futemi në zgjedhje, thonë nuk paska alternativa opozita. Unë do ju tregoj një histori të shkurtër. Takoj një eksponent të Partisë Socialiste dhe pasi i thashë që kalova disa ditë pushimi në mal dhe aty reflektova. Ma ktheu: “besoj se e gjete përgjigjen e reflektimit, duhet me harxhu më shumë lekë për vota”, tha Kopliku.

Sipas tij, kushdo e ka të qartë se në Shqipëri blihen votat.

“Pas 12 vitesh, socialistët nuk e imagjinojnë dot që të hysh në zgjedhje pa blerë vota. Pra, të gjithë e dimë që këtu blihen votat, bandat imponojnë kandidat për deputet, megjithatë dalim nëpër studio dhe flasim sikur këtu kemi të bëjmë me një sistem ku demokracia funksionon. Ky është kurthi në të cilin PD-ja herë pas here ka rënë”, shtoi Kopliku. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos