Pas Gjin Gjonit, dorëhiqet nga detyra gjyqtari i Apelit Alaudin Malaj

Nga A2 CNN
27 Korrik 2020, 19:54 | Aktualitet
Pas Gjin Gjonit, dorëhiqet nga detyra gjyqtari i Apelit Alaudin Malaj

Gjyqtari i Apelit Tiranë, Alaudin Malaj, kërkon të mbyllë kapitullin e tij në sistemin gjyqësor. Ish-kryetari i Apelit i është drejtuar me një dorëheqje Këshillit të Lartë Gjyqësor, përmes së cilës kërkon të lërë statusin e magjistratit dhe detyrën e gjyqtarit.

Në shkresën e dërguar në KLGJ, një kopje e së cilës është siguruar nga A2, gjyqtari Malaj e motivon dorëheqjen me një angazhim të ri profesional, që fillon më 1 gusht.

Malaj thekson se 27 vitet e punës së tij në gjyqësor kanë qenë një sfidë për shkak të përplasjeve me krimin e organizuar dhe presionet, por shprehet me bindje se kurdoherë i ka qëndruar besnik Kushtetutës së vendit.

Në vitin 2019 Malaj u vu në qendër të vëmendjes për shkak të një përplasjeje publike me ish-ministrin e Brendshëm, Fatmir Xhafaj dhe zyrtarë të lartë të Policisë së Shtetit, të cilët edhe i kallëzoi për “grup të strukturuar kriminal”.

https://a2news.com/2020/07/21/drejtesia-ne-kolaps-vetting-u-nuk-eshte-i-barabarte-per-te-gjithe-gjin-gjoni-jep-doreheqjen-nga-statusi-i-gjyqtarit/

 Gjyqtari pretendoi asokohe se Policia e Shtetit nuk kishte reaguar ndaj disa kërcënimeve të bëra ndaj tij apo familjarëve, por prokuroria vendosi të mos fillojë hetim. Dorëheqja e Malajt është e dyta nga radhët e gjyqtarëve të Apelit Tiranë në vetëm pak ditë.

Javën e kaluar dorëheqje të parevokueshme në KLGJ paraqiti edhe gjyqtari Gjin Gjoni. Dy kërkesat për dorëheqje pritet të shqyrtohen nga KLGJ në mbledhjet e ardhshme. Në rast të pranimit, vendimmarrja i komunikohet organeve të vetingut, që më pas vendosin edhe ndërprerjen e procesit të vetingut për gjyqtarët Malaj e Gjoni. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos