Koronavirusi në Shqipëri, eksperti: Shqetësues numri i viktimave, në ditët e fundit i njëjtë me Italinë

Nga A2 CNN
27 Korrik 2020, 15:47 | Aktualitet
Koronavirusi në Shqipëri, eksperti: Shqetësues numri i viktimave,

Pas hapjes së madhe, Shqipëria ka arritur në numrin total të thuajse 4800 të infektuarve me Covid-19. Sa herë që diskutohet për pandeminë apo qasjen e autoriteteve të shëndetësisë ndaj saj, mjekët dhe ekspertët përplasen në pika të ndryshme.

Eksperti i njohur i shëndetit publik, Erion Dasho, foli në A2 mbi situatën aktuale të pandemisë në Shqipëri, për të cilën ai thekson se është jashtë kontrollit dhe për këtë jep edhe arsyet.

“Prej kohësh, mua situata nuk më është dukur nën kontroll. Të pasurit e situatës nën kontroll vlerësohet duke parë disa mjedise të caktuara. Në një situatë nën kontroll, siç është në disa vende në Europë, nuk kemi transmetim të koronavirusit në spitale apo në institucione shëndetësore ashtu siç në Shqipëri konstatohet. Ne kemi spitale si qendra të transmetimit të infeksionit, administrata apo edhe transporti publik ku nuk zbatohen protokollet e sigurisë. Në këto kushte, unë do ta quaja pandeminë në Shqipëri jashtë kontrolli dhe nën mëshirën e virusit”, shprehet eksperti.

Dasho ngre alarmin për rritjen e numrit të viktimave, duke e krahasuar atë edhe me Italinë.

“Ditët e fundit vihet re një tendencë shumë shqetësuese, vihet re një rritje e numrit të personave që e humbasin jetën. Në 3 ditët e fundit kanë ndërruar jetë 15 persona, me një mesatare prej 5 personazh në ditë, po kaq e ka pasur edhe Italia, por e dimë të gjithë se nga vjen Italia, atje ku ka persona me javë të tëra në intubim. Po ashtu, këto shifra në Itali janë në raport me 700-800 të shtruar, ndërsa ne kemi 5 humbje jete në raport me 120 të shtruar. Kjo tregon se jemi duke bërë diçka jo siç duhet në raport me trajtimin”, shprehet eksperti. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos