Deputeti i Partisë Demokratike, Luan Baçi, i ftuar në studion e “Off the Record” nga Andrea Danglli, në A2CNN, deklaroi se Erion Veliaj do të dënohet me burg, por, sipas tij, “do të kalojë pak kohë” aty për arsye se “nuk po dënohet për atë që duhet të dënohet”.
“Erion Veliaj nuk është si Fatos Nano, është kilometra larg. Ai është aksidental në politikë, nga servilizmi i një organizate që drejtonte dhe nën hijen e Ramës u bë kryetar bashkie. Absolutisht i ka larë duart nga politika. Do të dënohet. Rama po i bën një nder shumë të madh në fakt. Ne kot themi që po e sulmon Rama. Veliaj do të dënohet dhe do të kalojë pak kohë në burg. Arsyeja është se Erion Veliaj nuk po dënohet për atë që duhet të dënohet, për korrupsionin, për vjedhjen, për inceneratorin, për 5D...”, tha Baçi.
“Gjykimit të tij i është dhënë një drejtim krejt ndryshe nga ai që duhet të ishte në fakt. Prandaj, çdo dënim që do të marrë, do e marrë për ato pseudoakuza. Nuk ka në dosje asgjë nga ato për të cilat duhet të ishte Veliaj në burg. Parë nga ky këndvështrim, edhe lëvizja për në Gjykatë Kushtetuese do të ketë një fund: një dënim për Erion Veliajn me pak kohë burg, pa u dënuar për atë që duhet të jetë”, shtoi deputeti demokrat.
“Më pas, një rikthim i tij, jo në politikë, por diku si vlerësim për atë që bëri për partinë. Para dy vitesh, u dënuan në Fier dy mjeranë të bashkisë për inceneratorin. Një ish-nënkryetar, që nuk ishte autori kryesor i inceneratorit. 6 muaj para se të arrestohej, e hoqën nga nënkryetar dhe e bënë drejtor të Albpetrolit. Aty bëri ca lekë dhe pastaj bëri një vit burg. Sot ka dalë dhe e vetmja punë që bën është që i jep “like” Partisë Socialiste”, shtoi Baçi. (A2 Televizion)