Dekriminalizimi, Krasniqi: Aleanca mes krimit, politikës dhe oligarkëve, e bëri SHBA-në kritike ndaj partive tona

Nga A2 CNN
9 Shkurt 2021, 20:22 | Politikë
Dekriminalizimi, Krasniqi: Aleanca mes krimit, politikës dhe

Duke risjellë në vëmendje bllokimin e hyrjes në SHBA të Tom Doshit, vendosur nga Departamenti i Shtetit në vitin 2018, ambasadorja amerikane Yuri Kim u shpreh dje, në një postim në Twitter, se votuesit shqiptarë meritojnë më mirë se kaq.

Sipas analistit të A2, Afrim Krasniqi, një deklaratë e tillë ishte “kulmim i një procesi”, pasi, sipas tij, “kishte disa muaj që Ambasada Amerikane dhe BE ishin investuar me deklarata publike dhe me një letër drejtuar krerëve të partive, dhe reagimi ishte negativ”.

“Kështu, pala amerikane hodhi një hap të ri, duke përmendur emra konkretë. Unë e shoh të alarmuar situatën afër kryeministrit dhe stafit të tij, për shkak se emri i përmendur nga ambasadorja amerikane është zyrtarisht nga KQZ i cilësuar si partia e dytë e mazhorancës, i është dhënë komisioner në dy qarqe kryesore dhe është konsideruar si prurje indirekte në Parlament, me koalicion informal mes qeverisë kryesore dhe PSD-së”, deklaroi Krasniqi.

Në lidhje me rrëzimin e pretendimeve nga Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut në Strasburg, të ngritura nga ish-gjyqtarja e Gjykatës Kushtetuese, Altina Xhoxhaj, kundër procesit të vetting-ut, Krasniqi shpjegoi: “Ishte vendim që do të lërë gjurmë, pasi e gjithë Reforma e Drejtësisë do të ishte e varur nga vendimi i parë që do të jepej nga gjykata ndërkombëtare dhe sa legjitime do të ishin vendimet e organeve shqiptare. Fakti që vendimi ishte në përkrahje të strukturave të vetting-ut, ishte deri diku një përkrahje publike për Reformën. Pretendimi që Gjykata e të Drejtave të Njeriut do të rrëzonte vendimet e dala nga vetting-u, ishte i disa individëve të larguar nga vetting-u. Por, sot morën një përgjigje të qartë dhe do të ulet ritmi i padive në Strasburg”.

Kur u pyet mbi dëbimin e diplomates shqiptare nga Rusia, Krasniqi nënvizoi se “nuk ka Shqipëria konflikt me Rusinë dhe anasjellas, por është konflikt gjeopolitik”.

“Ka pasur disa shtete evropiane që kanë dëbuar diplomatë rusë nga vendi i tyre dhe Rusia i është përgjigjur me të njëjtën monedhë. Në raste kur ndodhin konflikte me fuqi të mëdha si Rusia, minimalisht duhet të kishte transparencë nga Komisioni i Jashtëm i Parlamentit, për të diskutuar mbi pasojat. Ne nuk kemi diplomaci aktive, nuk kemi reagim të qeverisë për pasojat që do të ketë dhe nuk kemi elementë të funksionimit të shtetit normal në raste të tilla. Gjë që tregon se ne jemi rastësisht pjesë e kësaj krize dhe jemi pjesë e një pakete të tërë. Nuk ka Shqipëria konflikt me Rusinë dhe anasjellas, por është konflikt gjeopolitik”, u shpreh Krasniqi. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos