
Shkëputja e një kabulli të tensionit të lartë nga shtylla, për pak sa nuk shkaktoi një tragjedi në zonën e Bradasheshit në Elbasan.
Linja e tensionit të lartë ka rënë mbi banesat e banorëve të zonës dhe vetëm fati ka shpëtuar fëmijët dhe familjarët që janë gjendur në banesa në ato momente.
Aksidenti në fjalë ka ndodhur në rrethana të paqarta, ndërsa banorët janë alarmuar, pasi shkëputja e kabullit dhe rënia e tij mbi banesat ka shkaktuar panik dhe frikë.
Banorët janë shprehur së thuajse të gjitha pajisjet e tyre elektroshtëpiake dhe linjat elektrike të banesave janë djegur pasi kabulli i rënë ka pasur kontakt me linjat e banesave duke rritur voltazhin.
Sipas tyre, kjo nuk është hera e parë që ndodhin aksidente të tilla pasi zona ndodhet shumë pranë nënstacionit 220 volt, si dhe pranë zonës industriale të ish-metalurgjisë.
Sakaq grupet e avarisë së OST, OSHEE dhe policia kanë shkuar në vendngjarje për riparimin e linjës, si dhe vlerësimet e dëmeve te banesat e banorëve të zonës. (A2 Televizion)