Korrupsioni dhe paaftësia e administratës publike u kushtojnë taksapaguesve shqiptarë qindra miliona euro çdo vit. Këto abuzime zbulohen në raportin e fundit të KLSH bazuar mbi 122 auditime në institucione të ndryshme shtetërore.
24.5 miliardë lekë apo rreth 196 milionë euro është dëmi ekonomik që Kontrolli i Lartë i Shtetit ka konstatuar vetëm për 9-muajt e parë të vitit. Është një shifër e barabartë me 7.2% të buxhetit të shtetit për këtë periudhë.
Nëse këtyre shkeljeve do t’i shtonim edhe kostot e shpenzimeve të realizuara në kushtet e parregullsive ligjore, KLSH llogarit se dëmi total në buxhet arrin në rreth 268 milionë euro.

Po ku janë shkeljet më të mëdha?
Keqadministrimi i pronës shtetërore zë pjesën dërrmuese. Mosrespektimi i ligjeve për shfrytëzimin e pasurive natyrore apo dhënien e tyre me qira, u ka kushtuar shqiptareve mbi 20.6 miliardë lekë. Pjesa tjetër e demit vjen nga abuzimet në fushën e shpenzimeve dhe mbledhjes së të ardhurave nga taksat, tatimet e doganat.
Në krye të listës së institucioneve me dëmin më të madh ekonomik, renditet Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore, me kosto mbi 15 miliardë lekë, kryesisht për mungesën e lejeve për punimet në veprat hidroenergjetike.
Pas saj renditet Albpetrol, për mosrespektimin e kushteve të kontratave dhe nga ankandet e shitjes së naftës.
Lidhur me të gjitha shkeljet e evidentuara, Kontrolli i Lartë i Shtetit po vlerëson 23 kallëzime dhe indicie penale, çështje që rrallë përfundojnë me ndëshkimin e përgjegjësve. (A2 Televizion)