
Alban Beqiri shkruan një faqe të jashtëzakonshme të historisë së sportit shqiptar. Luftëtari kuqezi është zyrtarisht fitues i medaljes së bronzit, në Botërorin e boksit të zhvilluar në Beograd. Ai bëhet sportisti i parë shqiptar që regjistron një rezultat kaq të lartë në ring.
Ecuria mund të kishte qenë edhe më e mirë, nëse nuk do të ishte për dëmtimin muskulor në shpinë dhe lëndimet e shumta në dorë. Duke qenë se nuk ishte në formën e tij më të mirë, madje ku tërheqja nga gara ishte një opsion real, Alban Beqiri u frenua në gjysmëfinale.
Ëndrra për t’u ngjitur edhe më lart në podium u shua përballë rusit Musaev, e megjithatë boksieri i Tiranës e mbylli Botërorin në vendin e tretë dhe me medalje bronzi.
Beqiri fitoi katër ndeshje në peshën 67 deri në 71 kg, në dy prej të cilave ishte i dëmtuar, por thjesht nuk u dorëzua dhe vijoi të luftonte. Sakrificë e shpërblyer në fund, për një rezultat historik në sportin shqiptar, i regjistruar me një sportist të nivelit të lartë, që është edhe kampion i Ballkanit në fuqi. (A2 Televizion)