
Persona të papërgjegjshëm, kanë nisur të thyejnë dhe dëmtojnë pemët dekorative në qytetin e Kukësit, për të marrë blinin dhe ligustrën. Qytetarët e dënojnë këtë veprimtari, ndërsa institucionet ligjzbatuese lokale nuk reagojnë.
Për të disatin vit radhazi, në qytetin e Kukësit dëmtohen me dashje pemët dekorative. Qytetarë të papërgjegjshëm, kanë nisur të thyejnë pemët dekorative me qëllim për të marrë blinin dhe ligustrën që e shesin më pas te tregtarët e bimëve medicinale ose e mbajnë për vete për periudhën e dimrit.
Në kushtet kur institucionet lokale nuk po reagojnë për këtë fenomen, janë vetë qytetarët kuksianë që apelojnë për marrjen e masave dhe ndëshkimin e këtyre personave.
Njësia vendore e qytetit të Kukësit renditet e para në shkallë vendi sa i takon hapësirës së gjelbër, me më shumë se 13 mijë metër katrorë pemë dhe shkurre dekorative e parqe të cilat po dëmtohen sa nga mungesa e ndërgjegjësimit të qytetarëve aq edhe nga mosreagimi i institucioneve ligjzbatuese lokale. (A2 Televizion)