
Greqia mbështet dialogun mes Kosovës dhe Serbisë të ndërmjetësuar nga Bashkimi Europian. Kështu u shpreh ministri I jashtëm I këtij shteti, Nikos Dendias, gjatë një vizite në Prishtinë. Zyrtarin Helen e prit homologia, Donika Gërvalla, duke diskutuar një sërë çështjesh, si ekonomia, energjia dhe rruga e Kosovës drejt Bashkimit Europian dhe NATO-s. Dendias në një konferencë për shtyp, kërkoi që marrëveshjet e firmosura mes Prishtinës dhe Beogradit të respektohen.
“Sipas marrëveshjes së arritur të mbështetur nga BE-ja nëntorin e kaluar që të mos ketë rrezik dhe tensione, ajo që është arritur deri më tani është e rëndësishme të zbatohet nga të dy palët. Më lejoni të them se ky ishte edhe mesazhi im dhe për Beogradin”, deklaroi ministri grek.
Gërvalla theksoi se roli i Greqisë është i domosdoshëm në përpjekjet për të ulur tensionet me Serbinë.
“Republika Helene dhe Republika e Kosovës, në politikën e tyre të jashtme janë në një linjë, Bashkimi Evropian, NATO, qëndrim të njëjtë dhe të qartë për luftën në Ukrainë, qëndrim të qartë për zgjidhjen paqësore të konflikteve dhe dialog në vend të kërcënimeve, bashkëpunim në vend të pengesave”, deklaroi ajo.
Ndërkohë, gjatë kësaj vizite është shënuar dhe një episodi pakëndshëm, pasi ministri grek nuk pranoi të mbajë konferencën dhe të fotografohet para logos së Republikës së Kosovës. Kjo pasi Greqia nuk e njeh ende pavarësinë, edhe pse raportet mes të dyja shteteve janë të mira deri në atë pikë sa janë krijuar dhe zyra të ndërlidhjes. (A2 Televizion)