
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, konfirmoi se barrikadat në veri të vendit nuk do të qëndrojnë aty dhe për gjatë, pasi për heqjen e tyre po koordinohet me KFOR-in.
Përsëriti se kërkesa e Serbisë për kthimin e ushtrisë në Kosovë është totalisht jorealiste.
“KFOR-i ka kërkuar edhe pak kohë prej neve, pra ne jemi në, koordinim, komunikim të rregullt të vazhdueshëm intensiv me KFOR-i dhe padyshim nuk do të mund të tolerohen shumë gjatë barrikada të tilla, por mos harroni ajo çfarë po bëjnë strukturat ilegale të Serbisë të shndërruara në banda kriminale tash së fundmi është fillimi i fazës së fundit të tyre.
Natyrisht që NATO do të jetë kundër e po ashtu edhe ata e kuptojnë shumë mirë se nuk kanë ku të vinë në Kosovë ata ushtarë të gjorë serbë, të cilët këta pretendojnë se t’i sjellin në vendin tonë. Pra më shumë është shprehje e pafuqisë sesa fuqisë së tyre.
Nuk mund të them që bëhet fjalë për protestë civile atëherë kur ka njerëz të armatosur aty të cilët dëshirojnë që të kthehet Kosova në vitin 1999, dhe të cilët mbajnë edhe parulla e fotografi të presidentit despotik Putin. Pra, ata të cilët dëshirojnë që Serbia të jetë Rusi dhe në të njëjtën kohë synojnë që ta destabilizojnë Kosovën do të dështojnë gjithmonë ashtu siç dështuan edhe dje”, u shpreh Kurti. (A2 Televizion)