
Gazetari i A2, Julian Kasapi, deklaroi në studion e “Absolut 4” në A2 se lajm i mirë është fakti që po funksionon konfiskimi i pasurive, në lidhje me dënimin e ish-kryeprokurorit Adriatik Llalla.
“Po funksionon konfiskimi i pasurive. Rëndësi ka që të mbërrihet në këtë pikë. Por, njerëzit pyesin nëse do të bëjë burg apo jo. Të presim dhe të shikojmë vendimet e SPAK-ut. Është një hap më tej dhe është pozitiv konfiskimi i pasurisë. Mendoj se është shembull i mirë”, deklaroi Kasapi.
“Ka shumë pasuri dhe asete kriminale që, edhe pse kanë shkuar në Prokurorinë e Posaçme, janë kthyer pas. Grupe kriminale, që janë gjykuar, janë të lirë. Operacioni Forca e Ligjit është munduar t’i godasë. Paratë janë ndjekur, janë çuar në SPAK, por ato para’ vijojnë t’i gëzojnë grupet kriminale. Kjo është në kontrast me procesin e sotshëm, pasi zoti Llalla nuk përbën rrezik për shoqërinë, por vendimi është për t’u përshëndetur, pasi po shohim konfiskim pasurie. Por, do të isha më i lumtur që pasuria t’i konfiskohej grupeve kriminale. Nuk po shoh hetim pasuror edhe për persona që vijojnë të gjykohen në ish-Krimet e Rënda. Gjithçka ngelet deri te sekuestro preventive, që do të thotë sekuestrim i përkohshëm. Në momentin që pasuria vijon të mbetet në duar kriminale, vijon edhe veprimtaria kriminale, që na çon në këto pushkatimet në mes të ditës”, shtoi Kasapi. (A2 Televizion)