
Erida Nelaj, përgjegjëse e programit kombëtar të vaksinimit, u shpreh në A2 se Shqipëria ka një rrjet shumë të mirë të vaksinimit, si dhe ka kapacitete për 250 mijë vaksina.
“Shqipëria ka një rrjet shumë të mirë të vaksinimit. Ka një rrjet me 36 njësi vendore. Kjo ndihmon shumë në realizimin me sukses të vaksinimit ndaj koronavirusit. Vaksina e Pfizer ishte një sfidë, pasi kërkon ruajtje në temperatura -70 gradë celsius. Ne jemi shumë mirë, pasi kemi kapacitete për 250 mijë doza edhe nëse ato do të vinin menjëherë”, u shpreh Nelaj.
Më tej, Erida Nelaj komentoi edhe infektimin e mjekut Pëllumb Pipero me koronavirus, 14 ditë pasi mori dozën e parë të vaksinës Pfizer.
“Personat e vaksinuar janë mbajtur në vaksinim për një periudhë 20-30 minuta, më pas është edhe monitorimi i vazhdueshëm, por nuk kemi pasur asnjë efekt anësor.
Kryerja e vaksinës nuk do të sillte një test pozitiv, pasi vaksina nuk përmban virus brenda. Nuk ka lidhje fakti që doktor Pipero ka rezultuar pozitiv, nuk ka lidhje me vaksinimin. Është thënë qartazi se vaksinimi i sigurt kërkon 2 doza. Për doktorin është një fat i keq që është infektuar pasi ka marrë vetëm një dozë”, u shpreh Nelaj. (A2 Televizion)